Rritet për 62% eksporti nga Kosova në Gjermani
Prishtinë, 22 qershor - Sipas Doganës së Kosovës, Kosova në periudhën Janar-Prill 2021 ka eksportuar mallra në Gjermani në vlerë prej 14,981,291Euro në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ku ka eksportuar 9,269,537 Euro, që shprehur në vlerë i bie një rritje prej 5,711,754 Euro ose shprehur në përqindje rritje prej 62%.
Eksportet kryesisht përbëhen nga: materialet e ndërtimit, artikuj prej plastikës e metalit dhe mobile prej druri.
Drejtorja e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare Nora Hasani tregon që Oda në vazhdimësi ka ndihmuar firmat anëtare që ta shfrytëzojnë më mirë potencialin e tyre për eksport në Gjermani, duke dhënë kështu një kontribut në uljen e deficitit të lartë në bilancin tregtar të Kosovës me Gjermaninë.
“Kosova ka potencial të madh për ta shumëfishuar eksportin e saj në Gjermani. Këtë më së miri e ilustrojnë statistikat e fundit të Doganës së Kosovës, sipas së cilit gjatë 4 muajve të parë të vitit 2021, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, vërehet një rritje mbresëlënëse prej 62% të eksportit për në Gjermani”, thekson Hasani duke iu referuar të dhënave të Doganës së Kosovës.
Ajo tregon se edhe gjatë vitit të kaluar, në kohë pandemie pati rritje të eksportit mbi 40% për në Gjermani, në krahasim me 2019.
“OEGJK përmes këshillimit për eksport, trajnimeve dhe aktiviteteve konkrete me asociacionet e saj partnere në Gjermani mbështetë në mënyrë të vazhdueshme kompanitë kosovare që kanë synim tregun gjerman”, shpjegon Hasani.