09 Janar 2025

Rritet numri i bizneseve të regjistruara

Albulena S. MAVRAJ

Prishtinë, 3 shkurt - Gjatë vitit 2013 ishin regjistruar 9 203 biznese në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK). Krahasuar me vitin 2012, numri i bizneseve të regjistruara ka shënuar ngritje për 106 biznese të regjistruara.

Koordinatori për Çështje Juridike dhe Praktike në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), Mehdi Pllashniku, ka thënë se në periudhën janar-dhjetor të vitit 2013 janë regjistruar 9 203 biznese, kurse në të njëjtën periudhë të vitit 2012 ishin të regjistruara 9 097 biznese.

Pllashniku ka deklaruar për “Epokën e re” se gjatë vitit 2013 numri i kompanive të cilat e kanë shuar biznesin e tyre ka qenë më i lartë se në vitin 2012. Sipas tij, në vitin 2013,  krahasuar me vitin 2012, janë shuar 407 biznese më shumë dhe, po ashtu, numri i kompanive të huaja ka shënuar ngritje në shuarjen biznesit. “Numri i bizneseve të shuara gjatë vitit 2013 ka qenë 1 516, ndërkaq në vitin 2012 numri i bizneseve të shuara ka qenë 1 109. Por edhe numri i kompanive të huaja ka shënuar ngritje në shuarjen e kompanive, pasi në vitin 2013 u shuan tetë kompani të huaja, ndërsa gjatë vitit 2012 ishin katër kompani të huaja të cilat ishin shuar”, ka deklaruar Pllashniku.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se rritja e numrit të bizneseve të regjistruara në ARKB gjatë vitit 2013 ka ardhur si pasojë e pamundësisë së qytetarëve për t’u punësuar në institucione publike dhe të tjera.

“Është e vërtetë se në Kosovë çdo ditë e më tepër po kemi kuadro të cilat janë të profesionalizuara dhe e shohin të arsyeshme të hapin biznes, pasi nuk kanë mundësi të punësohen në institucionet publike apo të tjera”, ka deklaruar Gërxhaliu. Ai ka shtuar se ajo çfarë duhet të na interesojë është nëse mund të kenë qytetarët qëndrueshmëri financiare për t’i bërë ballë regjistrimit të biznesit.

“Krahas regjistrimit të bizneseve, ARBK-ja karakterizohet edhe me një numër të madh të bizneseve të cilat shuhen. Në këtë drejtim kemi një dallim të madh në mes të bizneseve të regjistruara dhe atyre të shuara, andaj e tëra kjo duhet të na obligojë shumë më tepër të krijohet një qëndrueshmëri që, krahas regjistrimit të biznesit, të kemi vazhdimësi të aktiviteteve dhe jo vetëm rritje, por aktivitet biznesor”, ka deklaruar Gërxhaliu, duke shtuar se është koha kur duhet të krijohet një qëndrueshmëri ekonomike dhe në këtë drejtim duhet orientuar në kualitet të ndërmarrësisë e jo në kuantitet.

Sipas tij, duhet të bëhet më tepër në gjetjen alternativave për financim të projekteve, qofshin ato edhe kredi të lehta.

Ndërkaq sa i përket rënies së regjistrimit të kompanive të huaja, ai ka deklaruar se nuk është vetëm ajo që ato vijnë në Kosovë, por sa ato mund të adaptohen me mjedisin e të bërit biznes në Kosovë. “Rënia e numrit të kompanive të huaja është ajo e cila vërtet duhet të na shqetësojë më tepër.

Çfarë është duke ndodhur me investimet e huaja. Largimi i tyre është mesazh shumë i keq për ambientin biznesor në Kosovë. Jemi dëshmitarë të një realiteti të hidhur sepse shumë kompani të huaja janë duke e shuar aktivitetin e tyre në Kosovë”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Ndërsa Alban Zogaj nga Instituti Riinvest ka deklaruar se ngritja e numrit të bizneseve do të ketë padyshim efekte pozitive në rritjen ekonomike dhe në rritjen e punësimit.

“Është e rëndësishme të theksojmë se ngritja e numrit të bizneseve është besim i shtuar në ekonomi”, ka thënë Zogaj, duke shtuar se shohim gjithnjë e më pak interesim nga kompanitë e huaja për të investuar në Kosovë.

“Kjo situatë është rezultat i klimës së pafavorshme për të investuar në Kosovë dhe padyshim është krizë financiare globale, e cila po ndikon në vendimet e investitorëve të huaj”, ka thënë ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)