Rritet inflacioni në Rusi
Moskë, 5 korrik - Inflacioni në Rusi për një javë, nga 26 qershori deri më 2 korrik, arriti në 0.8 për qind, shifër kjo që është treguesi më i lartë për disa vitet e fundit.
Kjo u njoftua në një deklaratë për shtyp nga Rosstat. Për një javë rritja e çmimeve doli e njëjtë si për dy muaj.
Kjo rritje e theksuar e inflacionit u provokua nga shtrenjtimi i ndjeshëm i çmimeve të sferës së shërbimeve të strehimit dhe atyre komunale, i cili kësaj herë ka ndodhur në mes të vitit.
Në veçanti, qiratë e apartamenteve në banesat e fondeve shtetërore dhe komunale u rritën me 6.2 për qind, energjia elektrike u shtrenjtua me 4.7 për qind, furnizimi me ujë të ftohtë dhe të ngrohtë si dhe ngrohja qendrore - 2.4 3.2 për qind.
Përveç kësaj, gjatë javës së fundit u rritën në mënyrë të ndjeshme çmimet e perimeve dhe transportit publik.