Rritet indeksi i besimit të konsumatorëve në Turqi
Ankara, 23 tetor - Instituti i Statistikave të Turqisë (TUIK) publikoi të dhënat e treguesit të besimit të konsumatorëve për muajin tetor 2015.
Përllogaritur në bazë të rezultateve të anketës së përbashkët të Institutit të Statistikave dhe Bankës Qendrore të Turqisë mbi tendencat e konsumatorëve, indeksi i besimit të konsumatorëve në tetor ka shënuar një rritje me 7,3 për qind në krahasim me muajin e kaluar. Në shtator, treguesi në fjalë ishte në nivelin e 58,52 pikëve, ndërsa këtë muaj arriti në 62,78 pikë.
Ndërsa indeksi i pritjeve të familjeve për situatën financiare është rritur me 5,5 për qind në të njëjtën periudhë, duke shkuar në 86,58 pikë kundrejt 82,08 pikëve të shtatorit.
TUIK thekson gjithashtu se një rritje me 12,3 për qind ka shënuar edhe treguesi i pritjes për situatën e përgjithshme ekonomike në vend, duke kapur nivelin e 80,87 pikëve në tetor nga 72,04 pikë në muajin shtator.
Ky zhvillim ka sjellë rrjedhimisht një rritje të konsiderueshme, krahasuar me një muaj më parë, të numrit të konsumatorëve, të cilët presin përmirësim të dukshëm të situatës së përgjithshme ekonomike të Turqisë për 12 muajt e ardhshëm.