Rritet deficiti tregtar i Shqipërisë
Tiranë, 19 prill - Në mars 2017, eksportet e mallrave nga Shqipëria arritën vlerën 23 miliardë lekë duke u rritur me 17,2% në krahasim me një vit më parë dhe me 12,9% në krahasim me muajin shkurt.
Sipas raportit mbi tregtinë e jashtme të publikuar nga Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT), importet e mallrave arritën vlerën 54 miliardë lekë duke u rritur me 14,6% në krahasim me një vit më parë dhe me 22,3% në krahasim me shkurtin e 2017-s.
Deficiti tregtar i këtij muaji, sipas INSTAT-it, është 31 miliardë lekë, një rritje kjo me 12,8% në krahasim me marsin e 2016-s dhe me 30,2% në krahasim me shkurtin e këtij viti.
Në tremujorin e parë, eksportet e mallrave arritën vlerën 62 miliardë lekë duke u rritur me 15,7% në krahasim me një vit më parë; kurse importet e mallrave arritën vlerën 133 miliardë lekë duke u rritur me 7,5% në krahasim me një vit më parë. Defiçiti tregtar arriti vlerën 71 miliardë lekë duke u rritur me 1,3% në krahasim me 2016-n.
Grupet, që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë materialet e ndërtimit dhe metalet me +6 pikë përqindje, mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike me +5,7 pikë përqindje, si dhe tekstilet e këpucët me +3,7 pikë përqindje.
Grupet, që kanë ndikuar negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, janë lëkura dhe artikuj prej tyre me -0,3 pikë përqindje, produktet kimike dhe plastike me -0,1 pikë përqindje, si dhe prodhimet e drurit dhe letrës me -0,1 pikë përqindje.
Rritja vjetore e importeve prej 14,6% këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi me +3,7 pikë përqindje, produkte kimike dhe plastike me +3,1 pikë përqindje, si dhe materiale ndërtimi e metale me +2,2 pikë përqindje.
Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar negativisht vetëm grupi prodhime druri dhe letre me -0,1 pikë përqindje.
Gjatë tremujorit të parë, importet janë rritur me 7,5% në krahasim me një vit më parë.
Grupet, që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë produktet kimike dhe plastike me +2,5 pikë përqindje, tekstile dhe këpucë me +1,4 pikë përqindje, si dhe makineri, pajisje e pjesë këmbimi me 1,3 pikë përqindje.
Grupi, që ka ndikuar negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, është prodhime druri dhe letre me -0,2 pikë përqindje.