27 Dhjetor 2024

Rinia e pakënaqur me qeverinë për punësimin dhe tregun e punës

Prishtinë 13 shkurt - Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe East West Parliamentary Practise Project (EWPPP) mbajtën tryezën “Roli i Rinisë në Formësimin e Politikave të Punësimit”.

Kjo tryezë mblodhi kryetarët e forumeve rinore të partive në Kosovë, këshillat dhe qendrat e të rinjëve, dhe të interesuar të shumtë rreth kësaj teme.

Përmes kësaj tryeze, u diskutua rreth problemit të papunësisë së të rinjve në Kosovë dhe se cfarë roli ka rinia në formësimin e politikave të punësimit nga institucionet qeverisëse.

Në hapje të tryezës, Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv i INDEP-it, tha se kjo është tryeza e dytë që mbahet në rajon me të njëjtin format dhe se shpreson që diskutime të tilla të vazhdojnë edhe në formate të tjera.

“Rinia përmendet pak përgjatë formësimit të politikave të punësimit, andaj duam të shohim se cka mund të bëjë rinia e partive politike rreth zgjidhjes së problemit të papunësisë”, tha Ejupi.

Jill Adler, drejtoreshë ekzekutive e EWPPP-së, tha se kjo është tryeza e dytë që po mbahet lidhur me problemet e rinisë dhe papunësisë dhe se ata duan të shohin se si mund t’i ofrojnë rinisë alternativa për të mos e lënë në vendin e tyre për mundësi më të mira.

“Ekziston kjo problematikë, e cila nuk mund të zgjidhet brenda natës por diskutimi është i rëndësishëm për të parë se si politikanët e rinj mund t’i tejkalojnë këto sfida”, tha znj. Adler.


Nga ana tjetër, Fatmir Haxholli, këshilltar i Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë, tha se duhet të ushtrohet presion nga vetë rinia mbi strukturat partiake që premtimet që jipen nga partitë përkatëse, rrjedhimisht që partitë të mbajnë përgjegjësi për premtimet e dhëna.

“Duhet të ndahen më shumë mjete për këtë çështje dhe të bëhet prioritet para se të servohen tema të tjera ad-hoc që e largojnë politikën e punësimit nga prioritetet. Institucionet nuk mund t’i bëjnë të gjitha dhe u takon edhe të rinjve të përfshihen në këtë process.” tha Haxholli.

Ai tha se ministria e tyre kanë vënë në veprim disa programe për zgjidhjen e këtij problemi ku ofrohen alternativa për trajnimin dhe ofrimin e praktikave për të rinjtë. Krijimi i Agjensionit të Punësimit u pa nga ai si hap i mirë drejt implementimit të politikave të punësimit.

Kryetarja e Forumit Rinor, Shpresa Rama, tha se është e vërtetë që kjo e prek direkt rininë pasi 65 përqind e popullësisë së Kosovës është e re.

Sipas saj, papunësia ka qenë problematika e parë e adresuar në mandatin e saj, por se ata duan të merren me problemin në thelb dhe jo me individë. Ajo përmendi disa propozime për zgjidhjen e këtij problem.

“Sipas hulumtimit tonë del se ekzistojnë probleme si fuqizimi i sektorit privat, aftësimi profesional dhe vullnetarizmi. Shumica e të rinjve duan të gjejnë punë në institucionet publike. Sektori privat nuk siguron kushte të mira për punëtorët. Ne s’mund t’i përballojmë të gjitha kërkesat e rinisë andaj duhet ta fuqizojmë sektorin privat."

"Tjetra, puna vullnetare duhet të njihet që të shërbejë si përvojë pune pasi në cdo konkurs pune kërkohen së paku 2 vite pune. Por kjo nuk i takon vetëm Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, por është problem që shkon më tutje. Kosova duhet ta shikojë të tashmen dhe t’i adresojë problemet e tanishme”, tha znj. Rama.

Përfaqësuesi nga Lëvizja Vetëvendosje!, Shkodran Hoti, tha se mungesa e programeve politike për punësimin e të rinjve është problem që duhet adresuar. Sipas tij, rinia nuk është homogjene, nuk është masë dhe nuk duhet trajtuar si e tillë.

Ai gjithashtu shtoi se problemi qëndron në programin që e ndjekë Qeveria e Kosovës, i cili nuk është i tillë që nxit zhvillimin e arsimit dhe mirëqenien sociale.

“Përderisa nuk ndërlidhet arsimimi me zhvillimin ekonomik, situata do të jetë për gjatë kështu. Në Kosovë, niveli i shkollave profesionale që do të mund të ishin katalizatorë të kësaj ndërlidhje, është shpërfillës dhe kjo shihet nga rezultatet e dala. Kështu që, para se të pyesni rininë se cka bëjnë ata për vete, institucionet duhet ta pyesin veten se cka po bëjnë ata për rininë”, theksoi Hoti.

Përfaqësuesi nga Forumi Rinor i AAK-së, Ismail Spahiu, tha se rinia duhet të jetë e lirë t’I ndjekë ëndrrat e tyre.

Sipas tij, ata duhet të kenë qasje në informacione për mundësitë ekzistuese që ata ta zhvillojnë potencialin e tyre dhe se problematika e papunësisë është më e madhe sesa rivaliteti mes taborreve partiake.

Sipas kryetarit të Forumit Rinor të NISMA për Kosovën, Albert Maxhuni, kjo është nga temat më pak të përmendura dhe duhet të ketë strategji veprimi për këtë.

“Shqetësimi ynë kryesor konsiston në nivelin e institucioneve arsimore që janë aktive në Kosovë. Rritja e vogël ekonomike pamundëson rritjen e punësimit të të rinjve. Praktika e klientelizmit dhe nepotizmit na ka instaluar një mendësi që na bën që së pari të mendojmë se ku të gjejmë punë se sa si të arsimohemi”, nenvizoi Maxhuni.

Pas përfaqësuesve të forumeve rinore të partive politike, diskutimi nga të pranishmit nxori pakënaqësi të shumta kundrejt mungesës së aktiviteteve konkrete drejt zgjidhjes së këtij problem.

Të pranishmit u shprehën të pakënaqur nga mungesa e progresit të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe të nivelit të papunësisë të të rinjve.

Ata kërkuan programe dhe politika konkrete që zgjidhin problemin e papunësisë duke përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, koordinimin në mes të arsimit dhe tregut të punës etj.

Ndër tjerash, të pranishmit kërkuan që institucionet qeverisëse ta marrin përgjegjësinë mbi vete dhe të mos e hedhin përgjegjësinë diku tjetër.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)