07 Janar 2025

Rikthehet lufta tregtare Kosovë-Shqipëri

Prishtinë, 15 gusht - Kosova dhe Shqipëria e nisën luftën tregtare, katër vite më parë, me qepën dhe pataten e Kosovës, pastaj me çimenton shqiptare, e kjo betejë po vazhdon edhe sot.

Së fundi, Doganat e Kosovës kanë marrë vendim për të ndryshuar destinacionin e zhdoganimit të eksportit të produkteve që hyjnë në vendin tonë nga Shqipëria.

Si rrjedhojë ka reaguar Shoqata e Eksportuesve të Shqipërisë, sipas të cilëve, ky vendim i Qeverisë Kosovës ka sjellë rritjen e kostos për eksportuesit shqiptarë, andaj shumë biznese kosovare kanë bllokuar eksportin për në Kosovë.

“Kjo procedurë e re, sipas informacioneve që disponojmë, nuk ka si shkak as si qëllim të mirë administrimin e doganës (rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj eksportuesve, përkundrazi, efektet që pasojnë prej kësaj procedure janë tejet negative, për bizneset deri në demotivim të tyre për të vijuar eksportin në Kosovë, madje për disa lloj produktesh (kryesisht materiale ndërtimi) ka ardhur deri te bllokimi total i ekspertit, gjë që sjell edhe uljen e të ardhurave doganore të Kosovës”, thuhet në reagimin e kryetarit të Shoqatës së Eksportuesve Shqiptarë, Alban Zusi.

Si rrjedhojë, nuk ka kaluar shumë kohë, dhe ka ardhur vendimi tjetër, ai i Tiranës, përmes të cilit po dëmtohen prodhuesit e mishit në Kosovë, të cilët nuk po mund të eksportojmë prodhimet e tyre në Shqipëri.

Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Mishit në Kosovë, Burim Piraj, bën të ditur se Shqipëria po aplikon termometrin digjital për matjen e temperaturës së mishit gjatë transportimit, ndërsa Kosova dhe disa vende të Evropës atë mekanike.

“Për shkak të këtij ndryshimi Shqipëria nuk po lejon mishin nga Kosova të futet në vendin e tyre edhe pse mishi i importuar nga Kosova ka marrë notë pozitive nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV)”, është shprehur Piraj.

Katër vite më parë, pati nisur beteja tregtare, mes dy vendeve, fillimisht me qepën e pataten e Kosovës, pastaj me çimenton, më pas shpërtheu me alfatoksinën në qumësht, ku mes dy vendeve nuk po gjendej gjuha e përbashkët.

Para pak kohe u bllokua edhe mielli nga Kosova, e deri te rasti i fundit me rishikimin e dispozitave doganore. E gjithë kjo situatë vlerësohet si shumë e dëmshme, nga ekspertët ekonomikë të Kosovës.

Eksperti i ekonomis, Musa Limani, veprimet e tilla i sheh si shumë të paarsyeshme.

Sipas tij, Kosova e Shqipëria do të duhej të funksiononin si një komb në aspektin tregtar, e edhe në aspekte tjera, e në asnjëherë të mos ballafaqoheshin me probleme të tilla.

“Nuk do të duhej të kishte kurrfarë barrierash tregtare mes dy shteteve shqiptare. Kështu do duhej të funksionojmë, si një komb në të mirë të tij, e jo në dëm të tij. Këto lojëra që filluan së pari nga Shqipëria me patatet e pastaj si kundër përgjigje nga ana e Kosovës me çimenton, shkojnë në dëm të kombit tonë, janë të pajustifikueshme dhe të papranueshme në aspektin ekonomik”, tha Limani.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)