Rezerva Federale rrit bursat aziatike
Shangai, 27 janar - Bursat aziatike u rritën pas vendimit të Rezervës Federale Amerikane për të mbajtur në fuqi vendimin për blerjen 600 miliardë dollarë të bonove qeveritare si një formë për stimulin e ekonomisë.
Vendimi i mbledhjes dy ditore ishte gjerësisht i pritshëm, dhe mbështeti këndvështrimin se vala e re e likuiditetit do të shtojë intensitetin e rrjedhës së parave në asete me risk të lartë.
Indeksi MSCI për Azinë e paqësorit pa Japoninë u rrit 0.3 për qind. Në Japoni indeksi NIKKEI u rrit 0.74 për qind.
Performancën më të mirë sesionin e sotëm e dha bursa e Shangait ku indeksi i përbërë SSEC u rrit me 1.57 për qind.
Edhe bursat e tjera janë në territor pozitiv me përjashtim të indeksit ASX në Australi që u mbyll me një rënie shumë të lehtë.
Rënia e indeksit australian u shkaktua nga vendimi i qeverisë për të rritur taksën mbi të ardhurat si një formë për të krijuar një fond në funksion të rindërtimit të zonave të prekura nga përmbytjet e këtij muaji.