Rënie e prodhimtarisë japoneze dhe shitjes së automjeteve
Tokio, 2 qershor - Prodhimtaria japoneze e automobilave dhe eksporti në prill pësuan rënie rekorde për më shumë se 60 për qind, pas tërmetit katastrofal dhe cunamit të 11 marsit, lajmëroi shoqata japoneze e prodhuesve të automobilave.
Prodhimtaria e përgjithshme vendore e automobilave, kamionëve dhe autobusëve është zvogëluar në prill për 60,1 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më herët, pasi katastrofa e madhe natyrore solli deri te mbyllja e një vargu të impianteve dhe ndërpreu zinxhirin për furnizim, lajmëroi shoqata e prodhuesve të automobilave në Japoni.
Eksporti i automjeteve japoneze, nga ana tjetër, është zvogëluar për 67,8 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo paraqet rënien më të madhe të shënuar të prodhimtarisë dhe eksportit, deklaroi zëdhënësja e shoqatës për AFP-në.
Prodhimtaria e automjeteve në Japoni në prill ka shënuar rënie në 292.0011 prej 731.829 automjeteve të regjistruara në muajin e njëjtë të vitit të kaluar, derisa eksporti është zvogëluar në 126.061 automjete përballë 391.540 të eksportuar në prill të vitit 2010, bëhet e ditur në kumtesën e shoqatës së prodhuesve japoneze të automjeteve.
Shumica e prodhuesve të pjesëve automobilistike të cilat janë kyçe për prodhimtarinë e automjeteve janë vendosur në prefekturat e Japonisë që ishin më së shumti të goditura nga stuhia.
Fabrikat e tyre janë dëmtuar në tërmetin me magnitudë prej 9,0 ballëve sipas Rihterit apo ishin përmbytur nga hovi i fuqishëm i cunamit që vijoi dallga e të cilit arrinte edhe deri në 10 metra lartësi, ndërsa e goditi bregdetin verilindor japonez.