22 Dhjetor 2024

Rënie e investimeve të huaja në Maqedoni

Shkup, 3 tetor - Kundrejt angazhimit të Qeverisë së Maqedonisë për promovimin e vendit si truall atraktiv për investitorët e huaj, të dhënat zyrtare flasin për një investim në vlerë prej 248 milionë dollarësh, shifër kjo që sipas Kombeve të Bashkuara, paraqet investimin më të ulët nga vendet e rajonit, transmeton REL.

Arsyen për klimën e keqe investuese, Martin Stoshiq, këshilltar shtetëror për tërheqjen e investimeve të huaja në Maqedoni, e fokuson në krizën globale ekonomike:

“Maqedonisë, si vend që zhvillimi ekonomik kryekëput i varet nga importi, është normale që efektet e krizës të ndjehen më gjatë, sepse disponojmë me fuqi të ulët konsumuese, andaj besoj se mëkëmbja e vendeve të zhvilluara të Bashkimit Evropian nga efektet e krizës, do të kontribuojë dhe në klimën investuese në Maqedoni”, thotë Martin Stoshiq.

Por, me këtë nuk pajtohet ish-ministri i financave, Nikolla Popovski, deputet i LSDM-së, i cili nënvizon se politika stagnuese e Qeverisë sa i përket procesit të integrimit, e ka bërë vend jo të sigurt për kapitalin e huaj.

“Do të thotë, klima e keqe për investitorët e huaj ka të bëjë me pozitën jostabile ndërkombëtare të Maqedonisë. Këtu duhet shtuar dhe raportet e përkeqësuara në planin e brendshëm politik të përcjella me konflikt të herëpashershëm ndëretnik dhe gjithsesi politizimi i Gjyqësorit që nuk paraqet kornizë të qëndrueshme ligjore për mbrojtjen e kapitalit të huaj”.

“Qeveria i shpenzon paratë në ngritjen e përmendoreve – kjo është qesharake, sepse në asnjë formë ky investim nuk kontribuon në zhvillimin ekonomik, e aq më pak krijimin e klimës së volitshme politike dhe ekonomike siç tenton të promovohet Maqedonia para investitorëve si ‘Vend i mundësive’ “, thekson Nikolla Popovski.

Nga ana tjetër, ekspertët e ekonomisë, e vlerësojnë si investim tërësisht të gabuar të Qeverisë promovimin e zonave ekonomike, të cilat pas promovimit medial, mbeten “shterpe”.

“Në një vend kaq të vogël, me një ekonomi kaq të hapur siç është Maqedonia, zonat ekonomike nuk kanë ndonjë rol në konceptin e zhvillimit ekonomik”.

“Deri më tani janë promovuar 7 deri në 8 zona ekonomike në kushte ku asnjëra prej tyre nuk arriti të funksionojë si duhet, thjesht ato u bënë për qëllime dhe motive politike”, vlerëson Abdulmenaf Bexheti, ekspert i ekonomisë, njëherësh ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore.

Tutje eksperti Bexheti nënvizon se Maqedonia përderisa e ka të bllokuar procesin e integrimit, e ka të errët edhe perspektivën investuese të kapitalit të huaj.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë ka angazhuar promotor ekonomik për të reklamuar vendin dhe kapacitetet e saj investuese duke përfshirë këtu dhe reklamimin e Maqedonisë si “Vend i mundësive”, në rrjetin televiziv CNN. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)