Rëndësia e rritjes së vetëdijes së konsumatorëve
Prishtinë, 15 mars - Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorit, Meridian Express në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një takim me biznese dhe media për të theksuar rëndësinë e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Drejtori i Odës Amerikane, Arian Zeka duke iu falënderuar Meridian Express-it për iniciativën, njoftoi se ligji i cili hyri në fuqi në Nëntor të vitit 2012 është një ligj i rëndësishëm meqë rregullon të drejtat dhe obligimet e konsumatorit.
Zeka po ashtu theksoi se të gjitha përfitimet që dalin nga ky ligj nisin nga momenti kur konsumatori merr kuponin fiskal përmes të cilit arrin të dëshmojë kryerjen e transaksionit, e njëkohësisht kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit meqë ndihmon në luftimin e informalitetit.
Ai kërkoi nga kompanitë e tjera që të ndjekin shembullin e kompanisë Meridian në promovimin e të drejtave të konsumatorëve.
Me këtë rast, zëvendëspresidenti i Bordit të Drejtorëve të Odës Amerikane, Jerry Rexha, e çmoi lartë iniciativën e kompanisë Meridian Express dhe e cilësoi këtë organizim si rast të parë që edukon konsumatorët drejtpërdrejtë lidhur me të drejtat e tyre.
Ndërsa drejtori ekzekutiv i Meridian Express, Agon Gashi, njoftoi se kompania Meridian ka për synim krijimin e vlerave dhe ngritjen e nivelit të përgjegjësisë shoqërore korporative, e sidomos kur marrim parasysh se shumica e konsumatorëve nuk janë në dijeni lidhur me të drejtat e tyre.
Duke u bazuar në këtë, Meridian ka nisur këtë projekt për ngritjen e vetëdijes për të drejtat e konsumatorit, në kuadër të së cilës përfshihet takimi me biznese dhe media, si dhe shpërndarja e kopjeve të ligjit në pikat e shitjes së Meridian Express.
Gjithashtu, për të përfshirë një gamë më të gjerë të konsumatorëve kjo shpërndarje e ligjit do të bëhet edhe në sheshin Nëna Terezë.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Korporata Meridian janë themeluese dhe anëtare të Rrjetit të Përgjegjësisë Sociale Korporative.