16 Maj 2024

Reformat e shndërrojnë Kosovën në një vend atraktiv për investime

Prishtinë, 15 prill - Reformat në ambientin e të bërit biznes janë duke e shndërruar Kosovën në një vend atraktiv për investime, thotë ministrja e Tregtisë e Industrisë Mimoza Kusari -Lila. Dy ministrat e dikastereve ekonomike Kusari -Lila e Besim Beçaj, po bëjnë përpjekje që agjendën politike të qeverisë gjithnjë e më tepër të zëvendësojnë me agjendë ekonomike.

Gjatë mandatit si ministre e Tregtisë e Industrisë, Mimoza Kusari- Lila shprehet se ka arritur të reformojë suksesshëm ambientin e biznesit në vend.
“Kemi arrit që mes tjerash të eliminojmë shpenzimet e regjistrimit të biznesit, të eliminojmë kërkesën për kapitalin e nevojshëm për fillimin e biznesit, të zvogëlojmë kohën për regjistrimin e bizneseve në një ditë të vetme, përderisa kohëzgjatja dhe numri i procedurave administrative të importit dhe të eksportit është përgjysmuar”, ka theksuar ajo.

Është eliminuar poashtu nevoja për leje të punës të bizneseve nga niveli lokal që ishte ngarkesë administrative dhe përmbante kosto financiare.

Reformat do të vazhdojnë në mënyrë që Kosova të jetë vend atraktiv për investime, potencoi ministrja, e cila njëherit e sheh të rëndësishme që agjenda ekonomike të jetë më e theksuar.

“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që agjenda zhvillimore të jetë agjenda e cila mbizotëron të gjitha agjendat e tjera sepse vetëm në këtë mënyrë do të kemi mundësi të krijojmë një stabilitet politik, një Kosovë të fortë dhe me qëndrueshmëri institucionale”, tha ajo.
Me ministren Kusari-Lila pajtohet edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beçaj.

“Agjendat politike nganjëherë po janë prioritare, kurse ajo që ne jemi të përqendruar është që agjenda ekonomike, zhvillimi ekonomik të jetë synimi themelor dhe përmes tij të gjejmë rrugët e integrimeve”, thekson ai.

Në procesin e lehtësirave përkatësisht joshjes së investitorëve të huaj, janë edhe nënshkrimi i marrëveshjeve për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve.

Pas nënshkrimeve të tilla me disa shtete të zhvilluara, së shpejti pritet të nënshkruhen edhe me Kroacinë, Turqinë, Maqedoninë, Emiratet e Bashkuara Arabe etj.(rtk)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)