Qeveria nuk do të kthejë reciprocitetin ndaj Serbisë
Prishtinë, 11 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta ndryshojë qasjen ndaj raporteve ekonomike e politike me Serbinë, edhe pas miratimit të mocionit për reciprocitetin ndaj Serbisë.
Kryeministri Hashim Thaçi, mocionin e miratuar në Kuvend për masat e reciprocitetit me Serbinë e konsideron vetëm si rekomandim të Kuvendit.
Thaçi ka thënë në një konferencë për media se Parlamenti është për të folur apo për t`i dhënë komentet e veta.
Do të respektojmë në përpikëri agjendën që e kemi dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Vendimet e Qeverisë së Kosovës në raport me çdo shtet fqinj janë në fuqi, dhe do të vazhdojmë me agjendën e Qeverisë, ka thënë kreu i saj.
Por, partia që ka iniciuar këtë mocion, Vetëvendosje paralajmëron se nëse nuk do të zbatohet ky vendim i Kuvendit, Qeveria duhet të vihet në mocion të votëbesimit.
Lëvizja Vetëvendosje planifikon të vazhdojë aksionet për rrokullisjen e kamionëve me mallra të importuara nga Serbia në rast se Qeveria nuk e zbaton mocionin e miratuar në Kuvend të mërkurën. Sipas analizave të këtij subjekti, në aspektin ekonomik dhe tregtar Kosova është e rrezikuar nga Serbia
Lëvizja Vetëvendosje do ti vazhdojë aksionet e veta derisa Kosova të ketë institucione të cilat vendosen në vullnetin politik të popullit të Kosovës, dhe të cilat ia mbrojnë interesat dhe i avancojnë të drejtat e popullit të Kosovës. Pra derisa të institucionalizohet e drejta për vetëvendosje, ka thënë deputeti Visar Ymeri.