Qeveria me prioritet reformat për rritjen e konkurrueshmërisë
Prishtinë, 30 mars - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar për Kosovë për perspektivën e konkurrueshmërisë së NVM-ve, në bashkëpunim me Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) organizuan takimin harmonizues për vlerësimin e konkurrueshmërisë.
Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin dhe për formën e plotësimit të kornizës së dimensioneve për vlerësimin e perspektivës së konkurrueshmërisë së NVM-ve në Kosovë.
Njëherësh, takimi kishte për synim diskutimin rreth thellimit të harmonizimit rreth rezultateve të vetëvlerësimit të perspektivës së konkurrueshmërisë nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe vlerësimeve të palëve të treta të kontraktuara nga OECD.
Në fjalën e saj, ministrja Hykmete Bajrami, tha se Ne jemi falënderues për rolin esencial të OECD-së në këtë proces të rëndësishëm që dëshmohet edhe për nga numri i lartë i përfaqësuesve nga OECD në këtë takim këtu në Prishtinë.
Më tej, ministrja e MTI-së, theksoi se ky takim me një format të tillë është mjaft ndihmues dhe frytdhënës sepse mundëson përfaqësim të shumicës së akterëve, përfshirë përfaqësuesit e Qeverisë, përkatësisht institucioneve të Kosovës, konsulentët e pavarur, përfaqësuesit e OJQ-ve, analistë dhe përfaqësues të OECD-së të cilët do të diskutojnë, shkëmbejnë informacionet dhe pikëpamjet duke identifikuar boshllëqet eventuale lidhur me vetëvlerësimin nga institucionet si dhe vlerësimin e pavarur që bëhet nga palët e treta lidhur me perspektivat e konkurrueshmërisë.
Ministrja Hykmete Bajrami theksoi se Qeveria e Kosovës e ka vënë si prioritet të lartë ndërmarrjen e reformave strukturore që kanë për qëllim përmirësimin e politikave për fuqizimin e ndërmarrjeve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre.
Tani meqë jemi duke e implementuar MSA-në, por edhe CEFTA-n, ne jemi duke punuar me intensitet në projekte që kanë fokus parësor rritjen e aftësive konkurruese të ndërmarrjeve tona, tha ministrja, e cila nënvizoi se deri më tani janë shënuar rezultate të konsiderueshme në përmirësimin e kushteve për të bërit biznes për NVM-të.
Bajrami përmendi po ashtu disa nga programet dhe angazhimet që kanë si objektiv ngritjen e konkurrueshmërisë së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme kosovare dhe rezultatet e tyre.
Ndër të tjera, ajo potencoi se janë organizuar gjithsej 17 Forume të Biznesit në bashkëpunim me odat përfaqësuese dhe institucione të ndryshme brenda Kosovës; 9 Forume për investime dhe tregti jashtë Kosovës, janë kontaktuar mbi 500 biznese të huaja të interesuara për investime në Kosovë dhe kanë marrë pjesë 153 kompani kosovare gjatë këtyre evenimenteve.
Poashtu, znj. Bajrami tha se është bërë promovimi i produkteve, shërbimeve dhe turizmit kosovar përmes panaireve; janë realizuar 36 panaire, ku kanë qenë 449 kompani përfituese kosovare, dhe kemi pasur 57 kontrata të lidhura; është punuar në zhvillimin e Parqeve dhe Inkubatorëve të Biznesit ku janë licencuar 8 Zona Industriale: Parku i Biznesit në Drenas i cili ka 36 biznese të vendosura; Parku i Biznesit në Mitrovicë me 20 biznese të vendosura; Parku Teknologjik në Shtime i cili është populluar me biznese; Parku Industrial në Shirokë, Suharekë - 69 biznese të vendosura; Agro Zona Industriale në Suharekë - 3 biznese të vendosura; Parku Industrial në Frashër, Mitrovicë është në fazën e ndërtimit të infrastrukturës; Parku Industrial në Lipjan është në fazën e ndërtimit të infrastrukturës si dhe Parku Industrial në Viti i cili pritet të fillojë së ndërtuari.
Ajo përmendi edhe Fondin Kosovar për Garanci Kreditore që ka lehtësuar qasjen në financa, përmes të cilit janë lëshuar 123 kredi deri tani; projektin e certifikimit të produkteve me certifikata të cilësisë që njihen ndërkombëtarisht dhe ku deri tani janë certifikuar rreth 90 produkte, ndërsa në periudhën e parë të vitit 2017 janë certifikuar 7 produkte.
Ministrja Bajrami shtoi se MTI, përkatësisht Qeveria e Kosovës ka qenë më shumë se anjëherë më parë në dialogim të përhershëm me bizneset dhe shtoi se të gjitha reformat janë ndërmarrë në konsultim të plotë me komunitetin e biznesit. Ajo u zotua se kjo qasje do të bëhet praktikë e vazhdueshme institucionale.