Qeveria mashtroi me rritjen, jemi të fundit në rajon
Prishtinë, 19 shkurt - Bazuar në të dhënat që i ofron BQK-ja, mësohet se diaspora jonë dërgon në Kosovë 600 deri 700 milionë euro në vit, duke mbajtur kësisoj me infuzion ekonominë e brishtë dhe qytetarët e varfër.
Deputetët e opozitës dhe analistët e ekonomisë, thonë se rritjet për të cilat flet Qeveria janë vetëm flluskë mashtruese, bashkë me fryrjen artificiale të pagave. Ndaj, sipas tyre, ekziston rreziku që me këtë ritëm të rritjes ekonomike në vendin tonë nuk do të jetë e largët dita e falimentimit financiar dhe juridik, social e politik.
Opozita dhe analistët pyesin se përse po gënjen Qeveria, e cila thotë se rritja ekonomike është më e larta në Evropë, edhe pse në fakt pa diasporën nuk do të arrinim as të mbijetonim si shtet.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, mësohet se remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, kryesisht vijnë nga Gjermania pasuar nga Zvicra, SHBA-ja, Italia, Austria, Franca dhe shtete të tjera. Këto mjete përgjatë viteve kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.
Po sipas BQK-së, pjesa më e madhe e remitencave që në vit është mbi gjysmë miliardi euro, sipas të dhënave të BQK-së, shkojnë për konsum, pastaj në investime, kryesisht në blerje të patundshmërive.
Perspektiva ekonomike, zero
Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Salih Salihu (LVV), për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se vërtet është shumë e turpshme dhe për keqardhje se si gënjen Qeveria “Haradinaj” që po thotë se gjoja rritja ekonomike e Kosovës është më e larta në Evropë.
“Sikur kjo do të ishte një e vërtetë, unë do të isha shumë i lumtur, por nuk qëndron fare një konstatim i tillë. Andaj, e them lirshëm se pohimet e kësaj Qeverie janë vetëm një rrenë e kulluar, edhe pse në fakt duhet të jemi shumë realistë, se rritjet për të cilat flet Qeveria janë vetëm flluskë mashtruese, bashkë me fryrjen artificiale të pagave. Është poshtëruese mohimi i rolit të bashkatdhetarëve tanë, ngase pa diasporën tonë ne nuk do të arrinim as të mbijetonim si shtet.
Kjo, ngase diaspora jonë dërgon e sjell në Kosovë 600 deri 700 milionë euro në vit, duke mbajtur kësisoj me infuzion ekonominë e brishtë të Kosovës dhe qytetarët e saj. Me këtë Qeveri, që shpresojmë të mos ketë jetën e gjatë, nuk kemi asnjë perspektivë dhe për Kosovën e qytetarët e saj nuk do të jetë e largët dita e falimentimit financiar dhe juridik, social e politik të shtetit të Kosovës, sepse edhe ashtu jemi thuajse në greminë”, potencoi ai.
Rritja e fryrë e pagave në shtet zvogëlon rritjen ekonomike
Analisti i ekonomisë Zekim Istogu, për gazetën “ Kosova Sot”, tha se një nga treguesit ekonomikë është rritja ose rënia e konsumit ditor.
“Ky parametër varet në një masë të madhe nga paratë e dërguara ose të shpenzuara nga diaspora në Kosovë, për këtë arsye këtë parametër Qeveria nuk duhet ta marrë për bazë kur flet për rritje ekonomike. Kosova nuk ka zvogëlim të deficitit tregtar, ka rritje të ngadaltë dhe jo të vazhdueshme të prodhimit, po në të njëjtën kohë ka rritje të vazhdueshme të importit të mallrave nga jashtë. Raporti import-eksport në vlerë monetare rritet çdo vit. Nga kjo mundemi të konkludojmë se rritja ekonomike është e pamjaftueshme për t’u afruar me zhvillimin e vendeve të rajonit”, u shpreh ai.
Ndërsa, duke komentuar çështjen se a ekziston rreziku që me këtë ritëm nuk do të jetë e largët dita e falimentimit financiar dhe juridik, social e politik, analisti Istogu thotë se investimet kapitale në vendin tonë kryesisht janë bërë nga buxheti i shtetit, shumica në infrastrukturë rrugore.
“Shumë pak investime direkte nga jashtë janë bërë në Kosovë, paraja për investime nuk vjen nga jashtë, por nga buxheti i shtetit, e fatkeqësisht këto para shumica kanë shkuar te kompanitë e huaja”, ka shpjeguar më tutje ai.
“Rritja e pagave në sektorin publik e zvogëlon buxhetin e shtetit për investime kapitale dhe subvencione, çka automatikisht ngadalëson rritjen ekonomike, zvogëlon të hyrat nga taksat dhe rrit borxhin publik. Kjo është tepër e rrezikshme për një vend si Kosova ku buxheti mbushet kryesisht nga taksat doganore dhe TVSH-ja, të cilën qytetarët tanë e paguajnë dy herë, njëherë kur importohet malli e herën e dytë kur e blejnë si konsumator i fundit”, ka thënë Istogu.
Efekti “diasporë”
Lidhur me çështjen, bankieri, Milazim Abazi, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se diaspora kosovare është shumë e rëndësishme si burim i financimit të konsumit dhe i një pjese të mirë të investimeve direkte private.
“Si konsumi, ashtu edhe investimet, ndikojnë në rritjen ekonomike. Në radarin e Kosovës nga kjo marrëdhënie të dy palët kanë interesat e veta: në njërën anë, diaspora mban familjet dhe rrit investimet personale, ndërsa Kosova përfiton mirëqenie të shtuar dhe zhvillim ekonomik. Qeveria e Kosovës duhet që të jetë edhe më pranë diasporës, në mënyrë që investimet e saj të rriten”, u shpreh ai.
Milionat vijnë nga jashtë, “eksportohen” po jashtë
Ndërsa, ligjëruesi i lëndëve të ekonomisë në disa kolegje, Sejdi Halimi, për gazetën “Kosova Sot’, tha se nuk ka asnjë dyshim se tash e disa dekada diaspora po ndihmon me shumë para në Kosovë dhe kjo po ndikon në konsumin ditor dhe nuk po ka ndonjë agjendë të qartë nga shteti për mjetet nga diaspora dhe nuk ka politika të mira ekonomike për to.
“Së këndejmi, Qeveria jonë, përkatësisht Ministria e Diasporës, duhet që të bëjnë më shumë për këtë kategori, institucionet e Kosovës duhet të krijojnë politika që ato para që janë qindra miliona euro të jenë në shërbim të zhvillimit dhe jo vetëm të konsumit dhe të eksportimit të parasë së gatshme”, potencoi ai.
“Roli i diasporës në zhvillimin e Kosovës është i shumëfishtë, por çështja kryesore është se si po kanalizohen këto të hyra dhe sa shfrytëzohen ato për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Përfaqësues të institucioneve shprehen se paratë e dërguara nga jashtë në masë të madhe stimulojnë konsumin vendor, gjë që ndikon në thellimin e importit dhe rrjedhimisht deficitit tregtar”, ka theksuar Halimi. Sipas analistit Halimi, e keqja e shfrytëzimit të këtyre parave është se Kosova është bërë një vend tranzit për remitenca, pasi paratë e diasporës po vijnë, po qarkullojnë për disa muaj dhe pastaj dalin jashtë vendit përmes importit të produkteve ushqimore.
Kosova drejt greminës
“Një shumë e madhe të hollash diaspora i investon në prona që nuk sjellin qarkullim të parasë, andaj për pasojë, në vitet e fundit vërehet një ngritje e kërkesës për prona të patundshme. Kjo dukuri ka ndikuar në ngritje të çmimeve edhe për qytetarët lokalë, të cilët planifikojnë të jetojnë në Kosovë. Pa diasporën nuk do të arrinim as të mbijetonim si shtet dhe se do të falimentonim. Mirëpo, nuk pajtohet me vlerësimin e Qeverisë, që po thonë se gjoja rritja ekonomike e Kosovës është më e larta në Evropë.
Kjo, ngase ajo madje edhe sipas vetë ministrit Hamza ka qenë ndërmjet 4.3 për qind, ndërsa për sivjet është paraparë që të jetë 7 për qind. Mirëpo, edhe me këtë nivel të rritjes ekonomike, Kosova nuk mund të ketë zhvillim ekonomik dhe përparim, sepse kjo nuk ofron perspektivë për ekonominë e brishtë të vendit, sepse kjo në asnjë mënyrë nuk mund të arrihet pa një rritje dyshifrore ekonomike, andaj e them lirshëm se Kosova po shkon drejt greminës ekonomike dhe zhvillimore”, ka thënë Sejdi Halimi për “Kosova Sot”.
Nuk ka strategji nacionale zhvillimore
Ndërsa, analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se në asnjë mënyrë nuk qëndrojnë pohimet e Qeverisë “Haradinaj” se Kosova e ka pasur njërën nga rritjet më të mëdha ekonomike në Evropë. “Në cilësinë e njohësit të kësaj fushe them me përgjegjësi të plotë se edhe kjo rritje ekonomike prej 7 për qind nëse arrihet, Kosova sërish do të vendnumërojë dhe zhvillimi ekonomik i saj do të jenë sikurse në rrethin vicioz. Kjo, sepse akcila rritje e tillë ekonomike, që është nën shifrat dyshifrore nuk mund të garantojnë zhvillim ekonomik të vendit, andaj pohimet për një rritje të tillë janë vetëm gënjeshtra të kulluara e asgjë tjetër”, potencoi ai.
Ndërsa, duke folur për rolin e remitencave në zhvillimin e Kosovës, Grapci thotë se që nga pas lufta e deri më tash në Kosovë nuk ka pasur një strategji institucionale për t’i shfrytëzuar sa më mirë lidhjet mes diasporës dhe Kosovës që të realizojnë projekte me interes nacional, siç janë projektet energjetike, minerale, etj. “Në veçanti, kjo vlen për investimet në fushën energjetike të energjisë alternative me erë, e pse jo edhe me ujë. Edhe studimet e bëra nga shoqëria civile të Kosovës në Prishtinë kanë treguar se me ngritjen e potencialit të diasporës kërkohet një qasje tjetër institucionale ndaj saj. Kërkohet angazhim më i madh i autoriteteve kosovare në përfshirjen e diasporës në vendimmarrje për projektet zhvillimore të Kosovës.
Po ashtu, kërkohet një bashkëpunim më i thellë në mes të shoqatave kosovare të diasporës dhe atyre vendase që t’i shkëmbejnë përvojat dhe njohuritë e tyre në fusha të ndryshme të biznesit”, shpjegoi më tej Grapci. Sipas tij, e gjithë kjo do të kontribuonte që paratë e dërguara nga jashtë të kenë një qëndrueshmëri më të madhe karshi zhvillimit të Kosovës.
(Kosova Sot)