Qeveria kundër integrimit të tregjeve mes Kosovës e Shqipërisë

Prishtinë, 17 korrik - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlërson se taksa prej 35 për qind në importin e çimentos e vendosur nga Qeveria Thaçi ka shkaktuar tronditje në marrëdhëniet ekonomike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Qeveria Thaçi sipas LDK-së dëshmoi se për të realizuar interesat e veta shkel mbi çdo gjë, përfshirë ashpërsimin e marrëdhënieve me Shqipërinë.
"Është e pa mundur që me këtë Qeveri anti konkurrencë të mendohen integrimi i tregjeve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, përmes projekteve madhore siç është tregu i energjetisë dhe tregjet e tjera."
Mbarimi i këtij sezoni të punës së Kuvendit të Kosovës në mënyrë të dhunshme, pa e definuar këtë çështje përmes një mocioni përkatës, gjithnjë sipas LDK-së tregon më së miri se prapa këtij vendimi është në fakt vetë Thaçi.
Ai i detyroi deputetët e partisë së tij të braktisin seancën në mënyrë që ky vendim skandaloz të mbetet në fuqi së paku deri në shtator, kur mblidhet prapë Kuvendi për të vazhduar seancën e mbetur përgjysmë.
Kjo taksë ka rritur ndjeshëm çmimin e çimentos në Kosovë, në sezonën kur më së shumti është i nevojshëm në treg. Pasojat po i bartin qytetarët dhe bizneset.
Shumë biznese që kanë punë të kontraktuara para se të vendosej taksa, tani detyrohen të punojnë me humbje apo të falimentojnë.
Pasojat janë tepër të mëdha për ekonominë dhe për punësimin dhe të ardhurat në veçanti. Statistikat për tremujorin e tretë që pritet të dalin në vjeshtë do ta dëshmojnë këtë gjë.
LDK vlerëson se kjo politikë e ashpërsimit të marrëdhënieve me shtetin shqiptar po qon në izolim ekonomik. Sipas kësaj logjike të të menduarit të Qeverisë Thaçi, atëherë Kosova duhet të vendosë taksë në shumicën e produkteve bujqësore gjatë sezonës së verës.
Bujqit me plotë të drejtë mund të përdorin precedentin e krijuar me këtë vendim për importin e çimentos për të kërkuar mbrojtjen e tyre nga prodhuesit e huaj.