Qeveria emeton obligacione prej 10 milion euro me maturitet 7 vjeçar
Prishtinë, 30 nëntor - Ministria e Financave ka bërë të ditur se bazuar në Kalendarin vjetor të Letrave me Vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2017, ka emetuar për herë të dytë Obligacione me maturitet 7 vjeçar.
Emetimi i suksesshëm i obligacioneve me maturitet më të gjatë shënon zhvillim të mëtutjeshëm të tregut të letrave me vlerë, që është njëherit edhe objektiv i Ministrisë së Financave.
Ankandi për emetimin e Obligacioneve 7 vjeçare u mbajt më 29 nëntor 2017, përmes ri-hapjes së ankandit të parë të shitjes së obligacioneve 7-vjeçare.
Shuma nominale e Obligacioneve të emetuara në këtë ankand ishte 10,000,000 Euro, përderisa tregu shfaqi kërkesë prej 12,600,000 Euro.
Për informacione më të hollësishme rreth pjesëmarrjes së mundshme në ankandet e ardhshme për blerjen e letrave me vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju lutem kontaktoni ndonjërën nga bankat komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës.