09 Janar 2025

Qeveria e Kosovës duhet të krijojë ambient për biznesi

Prishtinë, 8 prill - Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, të mërkurën ka publikuar raportin  e tregtisë së Kosovës me 28 vendet e BE-së gjatë periudhës 2005-2012.

Në raportin me titull “Marrëdhëniet Tregtare mes Kosovës dhe BE-së” është thënë se liberalizmi i tregtisë në vete nuk do të promovojë bilancin tregtar dhe zhvillimin ekonomik në Kosovë. Sipas këtij raporti, Qeveria e Kosovës duhet të krijojë ambient për biznesin dhe të sigurojë qasje të konkurrueshme te shërbimet efikase të infrastrukturës.

Iliriana Kaçaniku nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, ka theksuar se në vitin 2005 vlera e eksporteve të mallrave të Kosovës ka qenë 56 milionë euro, ndërsa importi ka qenë mbi 1.1 miliard euro. “Në vitin 2014 vlera e mallrave të importuara ka tejkaluar 2.5 miliardë euro, ndërsa ato të eksportuara kanë qenë pak mbi 300 milionë euro. Brenda periudhës 10 vjeçare që ofron MSA-ja gradualisht do t’i kemi të eliminuara tarifat e ngritura doganore në mes partnerëve tregtar dhe se marrëdhëniet tregtare të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme”, ka thënë Kaçaniku.

Ndërkaq ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se ky raport mundëson promovimin e hulumtimeve shkencore në Kosovë dhe përmbajta e tij do të le gjurmë në politikat tregtare të Kosovës. “Kosova e ka të vështirë të depërtojë dhe të krijojë një pozicion për produktet e saj për tregjet e BE-së, për arsye se nevojitet kohë për të siguruar një vend të tillë, nevojiten investime dhe ekspertizë e cila në shumë raste po mungon”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, kapitali dhe ekspertiza e huaj, është e nevojshme që produktet tona të arrijnë cilësinë, e cila nevojitet për tregjet e BE-së dhe tregjeve tjera dhe të ketë nivel të prodhueshmërisë dhe të konkurrueshmërisë.

Kurse profesori i Universiteti të Prishtinës, Petrit Gashi, njëherësh bashkautor i raportit ka thënë se kapacitetet prodhuese të vendit janë problemi që na ka përcjell viteve të fundit, por edhe problem që mund të na përcjell pas futjes së Marrëveshjes për Stabilizim Asocim. “Bilanci tregtar me BE-në edhe më tutje mbetet negativ, ku shumë importojmë nga BE-ja dhe shumë më pak eksportojmë. Edhe pavarësisht faktit që na janë ofruar masa autonome situata nuk ka ndryshuar substancialisht”, ka theksuar ai.

Sipas tij, duhet gjetur forma të nxitjes së eksportit për në vendet e BE-së, ndërsa bizneset duhet bërë investime në ngritjen e kapaciteteve njerëzore e prodhuese.

Kurse Geoffrey Pugh, profesor në Universitetin Stffordshire, ka theksuar se liberalizmi i tregtisë është i domosdoshëm por nuk është i mjaftueshëm që të sjellë zhvillimin e dëshiruar në Kosovë.

Sipas këtij, Qeveria e Kosovës duhet të krijojë ambient mundësues për biznesin, të sigurojë qasje të konkurrueshme te shërbimet efikase të infrastrukturës, të lehtësojë lëvizjen e besueshme dhe efikase të mallrave drejt tregjeve të jashtme dhe të sigurojë përmbushje të standardeve ndërkombëtare të kualitetit.

Ky Studim i tregtisë së Kosovës, me 28 vendet e BE-së, gjatë periudhës 2005-2012, nxjerr në pah se liberalizmi i tregtisë ne vete nuk do të promovojë bilancin tregtar dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)