Propozohet forum biznesor Kosovë - Emirate të Bashkuara Arabe
Prishtinë, 20 dhjetor - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka pritur sot Ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe në Ankara, jorezident për Kosovë, Khalid Khalifa Al Mualla me të cilin diskutoi rreth mundësive të intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Me këtë rast, ministri Beqaj ka shpalosur prioritetet e zhvillimit ekonomik të vendit dhe ka njohur delegacionin e EBA-së me projektet që janë duke u realizuar dhe ato që pritet të realizohen në të ardhmen kryesisht në sektorët e energjisë, minierave dhe telekomunikacionit.
Ministri Beqaj, e njoftoi ambasadorin e EBA-së edhe me potencialet e Kosovës në fushën e përpunimit të ushqimit, duke nënvizuar se ende vendi importon një pjesë të madhe të produkteve ushqimore dhe ftoi kompanitë e EBA-së të investojnë në këtë sektor, i bindur se do gjejnë një treg të përshtatshëm.
Nga ana e tij, Ambasadori Khalid Khalifa Al Mualla ka theksuar se informacionin e marrë do të përcjell në vendin e tij me qëllim që investitorët në këtë vend të kenë njohuritë e mjaftueshme për ambientin e investime në Kosovë.