Pronari i SharrCemit mund të dënohet me 5 vjet burg
Prishtinë, 30 qershor - Shmangia e SharrCemit nga detyrimet doganore, e konstatuar nga Doganat e Kosovës, për kryeprokurorin e Qarkut të Prishtinës, Aleksander Lumezi, përbën vepër penale.
Kundërvajtja doganore që sanksionohet me Kodin doganor nuk e përjashton përgjegjësinë penale të kompanisë, ndërsa dënimi, sipas tij, është deri në 5 vjet burg.
Neni 298 i Kodit doganor që parasheh shmangien mashtruese nga taksat e importit është e paraparë që kushdo në çfarëdo mënyre është i përfshirë në shmangie mashtruese nga taksa e importit dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre muajve deri në tre vjet. Por kur shuma e detyrimeve të shmangura nga taksa e importit kalon 15 mijë euro, dënimi shkon deri në 5 vjet burg, ka saktësuar ai.
Kryeprokurori Lumezi sërish ka kërkuar nga Dogana e Kosovës që të bëjë kallëzim penal kundër kompanisë së çimentos SharrCem dhe ta dorëzojë në Prokurorinë Komunale të Prishtinës.
Ai, të premten, ka konfirmuar për Kohën Ditore se i ka telefonuar personalisht udhëheqëses së Njësisë së Sektorit të hetimeve në kuadër të Doganave, Sadije Topojani, që ta përgatisë lëndën dhe ta dorëzojë në Prokurori.