Promovohen investimet e Kosovës në Mal të Zi
Budvë, 15 prill - Agjencia për Promovimin e Investimeve të Kosovës në bashkëpunim me Organizatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar - GIZ dhe Shoqatën e Venarëve të Kosovës Enologjia nga Rahoveci kanë organizuar pjesëmarrjen në Panairin e 39-të të Ushqimit në Budvë të Malit të Zi, që është mbajtur prej 11 14 prill 2013.
Panairi i ushqimit Budva 2013, i 39-ti me radhë, ka përmbushur nevojat e secilit ekspozues, ka ofruar një numër sfidash të biznesit në treg, sidomos të përfaqësuesve më të suksesshme të industrive strategjike të cilat përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë së Malit të Zi dhe rajonit.
Ky panair ishte i miratuar nga UFI-Shoqata Botërore për Organizimin e Panaireve dhe Eventeve Tregtare, i cili ka pasur karakter ndërkombëtar, ku ka sjellë ekspozues të ushqimit, bujqësisë, industrisë dhe kulturave mesdhetare, ushqim organik, verë dhe vreshtari, ëmbëlsira, paketim, kafe, përpunim të peshkut, prodhuesit e ujit mineral, importues dhe distributorë të mekanizimit bujqësor.
Panairi përveç natyrës së marketingut ka pasur edhe natyrën e degustimit, ku distributorë të ndryshëm nga rajoni dhe shume vizitorë kanë pasur mundësinë për të provuar produktet kosovare për të cilat janë dhënë vlerësime të larta si në cilësi po ashtu edhe në paketim dhe dizajn.
Interesi i publikut të gjerë, vëmendja e medias që u jepet ekspozuesve për mediat e shumta partnerëve të Panairit të Adriatikut, prania e pritshme e një numri të madh të vizitorëve është një shans për të përfituar nga mënyra efektive e potencialit të marketingut në një mjedis konkurrues duke stimuluar interesin e konsumatorëve para sezonit turistik që vjen.
Po ashtu, panairi ka qenë shumë i vlefshëm për kompanitë tona eksportuese, pasi që kanë marrë pjesë kompani të ndryshme nga rajoni dhe Evropa.
Me këtë rast janë bërë edhe shkëmbime të kontakteve, ku pritet bashkëpunim, që mund të rezultonte në përmirësimin e balancit tregtar të Republikës së Kosovës dhe po ashtu të eksportit në të ardhmen.
Kompanitë pjesëmarrëse në këtë panair kanë qenë: Shoqata e Venarëve të Kosovës ENOLOGJIA nga Rahoveci; \"Bio Pak\" Shpk; \"MUJA\"; \"Rahovec\" Shpk; \"Sefa Wine\"; \"DAKA\". Po ashtu pjesëmarrëse kanë qenë edhe kompanitë e përpunimit të ushqimit dhe pijeve: FUNGO FF nga Artana; EUROFOOD nga Prizreni; LIRI nga Prizreni; GOLDEN EAGLE & FRUTEX nga Theranda; BIRRA PEJA & UJI AKULL nga Peja dhe ASK Foods nga Gjilani.
Panairi i ushqimit BUDVA 2013 është mbështetur financiarisht nga APIK-MTI dhe GIZ - Zyra në Prishtinë.