Projektligji për Tregtinë me Naftë favorizon 7 importues të naftës
Prishtinë, 18 prill - Projektligji për Tregtinë me Naftë dhe derivatet e saj në Kosovë, i cili ka kaluar leximin e parë në Kuvendin e Kosovës, favorizon vetëm 7 biznese të mëdha, të cilët posedojnë depo të karburanteve.
Kjo për faktin se sipas ligjit të sponzoruar në legjislativ nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), e cila udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila, importin e naftës në vend mund ta bëjnë vetëm subjektet që kanë licencë valide për deponim të karburantit, ndërsa ato që nuk posedojnë deponi të naftës u ndalohet importi.
Ky ligj është në kundërshtim me direktivat e Bashkimit Evropian, pasi që favorizon monopolin në tregun e naftës dhe si i tillë nuk duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës, thotë për Zërin Fadil Berjani, kryetar i Komisionit të zgjedhur nga Shoqata e Naftëtarëve pranë OEK-ut, duke shtuar se kjo krijon shpenzime të panevojshme, ndikon në ngritjen e kostos së shitjes dhe krijon mundësinë e manipulimeve nga importuesit.
Rezervat e obligueshme të ruajtura në territorin e Republikës së Kosovës, do të jenë prioritet, ndërsa një pjesë e tyre jo më e madhe se 20 për qind mund të ruhen edhe në shtetet tjera, por vetëm në qoftë se bazohen në marrëveshje bilaterale.
Ndërsa Remzi Shaqiri nga kompania Graniti Petrol thotë se në Kosovë janë rreth 1000 pika të shitjes me pakicë të derivateve, ndërsa me Ligjin e ri, sipas tij, do të falimentojnë rreth 70 për qind e tyre, pasi që ndërtimi i deponive ka një kosto të lartë financiare. Ndërtimi i një deponie të karburantit kushton rreth 1 milion euro dhe këtë gjë nuk mund ta bëjnë rreth 70 e bizneseve ekzistuese, pasi që shumica prej tyre janë në kredi dhe në këtë mënyrë do të falimentojnë, shprehet Shaqiri.
Naftëtarët kosovarë të mërkurën janë takuar edhe me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, të cilës ia kanë shprehur shqetësimet e tyre për Ligjin. Ministres Kusari-Lila ia kemi shprehur shqetësimet tona. Ajo na ka premtuar se do të angazhohet për zgjidhjen e këtij problemi, ka nënvizuar Berjani.
Përndryshe, sipas statistikave të Doganave të Kosovës, gjatë vitit 2012, janë importuar mbi 433 milionë litra naftë dhe benzinë, për të cilat në emër të taksave kufitare janë paguar mbi 225 milionë euro.
Në krye të listës së importuesve më të mëdhenj të naftës dhe derivateve të saj është kompania Hip Petrol,Mamidoil Kosovo, Al Petrol, etj.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë të mërkurën për Zërin se është takuar me përfaqësuesit e naftëtarëve, ku i ka dëgjuar shqetësimet e tyre. Sipas saj, Qeveria e Kosovës është e interesuar ta gjejë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë, pa u munduar,siç thotë ajo, që dikë ta nxjerrë prej lojës, apo dikë ta fusë në lojë.
Ajo sqaron se kanë shprehur gatishmëri për caktimin e një periudhe kalimtare prej 3 vjet e 7 muaj për fillimin e implementimit të këtij ligji, mirëpo naftëtarët, sipas saj, janë duke kërkuar 1 vit më shumë kohë dhe kjo ka mbetur të negociohet.
Ne parashohim një periudhë kalimtare prej 3 vjet e 7 muaj, në mënyrë që ligji të fillojë së implementuri në vitin 2017, mirëpo përfaqësuesit e naftëtarëve po kërkojnë 1 vit më shumë kohë, bën të ditur Kusari-Lila.
Ministrja e Tregtisë po ashtu sqaron se bizneset mund të organizohen, duke e bashkuar kapitalin, ku disa prej tyre ta ndërtojnë një deponi, për shkak të kostos së lartë financiare, të cilën gjë nuk e ndalon institucioni që ajo e drejton.