Produktet serbe demtojnë ekonominë e Kosovës
Prishtinë, 23 qershor - Sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës u mbajt tribuna e dytë e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje!, që për temë kishte pushtimin e tregut të Kosovës nga mallrat serbe dhe efektin që ky pushtim e ka në ekonominë dhe politikën e Kosovës.
Visar Ymeri, drejtues i Komitetit për Ekonomi ne Levizjen Vetëndosje! ka thënë se Serbia përveç strukturave paralele, është e pranishme edhe në tregun e Kosovës me mallrat e saj.
Ai prezentoi në mënyrë kronologjike se si nga viti 1999 e deri më 2009 Kosova ka importuar mall nga Serbia në vlerë prej 1 miliardë e 683 milionë eurosh.
Për më keq kjo shumë paraqet vetëm mallrat e regjistruara nga Dogana e Kosovës, e që është vetëm një pjesë e gjithsej mallrave të importuara. Deri para shpalljes së pavarësisë pikat doganore 1 dhe 31 ishin funksionale, dhe qysh atëherë kontrabandimi i mallrave serbe në Kosovë ishet diku 60% i gjithsejt importit.
Pas shpalljes së pavarësisë, me çrast strukturat paralele i shkatërruan plotësisht këto pika doganore, kjo përqindje sigurisht se është rritur. Problem të veçantë paraqet marrëveshja e CEFTA-s e cila e obligon Kosovën ta ketë tregun e hapur për këto mallra, derisa mallrat e Kosovës nuk lejohen as të kalojnë tranzit nëpër Serbi, për shkak se Serbia nuk e njeh Kosovën e rrjedhimisht as dokumentacionin për transportim të mallit.
Kjo e vë Kosovën në pozitë shumë te disfavorshme ekonomike dhe me një deficit shumë të lartë tregtar e pa mbrojtje të nevojshme të prodhimit vendor. Sipas Ymerit janë disa degë të industrisë në të cilat Kosova ka potencial të madh, ndër to pasuria nëntokësore e saj me linjit, plumb, zink e bakër, industria e pjesëve automobilistike, bujqësia si dhe industria e tekstilit.
Më pas fjalën e mori Faton Mehmetaj, drejtor i Institutit për Gjeopolitikë dhe Siguri, i cili foli kryesisht mbi rrezikun që këto mallra i kanosin shëndetit të popullatës në Kosovë. Ai e potencoi sigurinë ushqimore si një ndër kryesoret e sigurisë publike të një vendi. Meqenëse mallrat kryesore serbe janë ushqimore dhe produkte barërash, kjo paraqet një rrezik të veçantë për popullatën e Kosovës. Ndër të tjera ai paraqiti fakte mbi importin e barërave me afat të skaduar nga kazermat e ish Armatës Jugosllave si dhe linjën e veçantë të fabrikës ushqimore PKB për prodhimet që eksportohen në Kosovë. Sipas tij këto prodhime kanë materie të rrezikshme të cilat janë shkaktarë direkt të sterilitetit dhe sëmundjeve kancerogjene.
Tribuna u përcoll nga numër i madh i audiencës, të cilët paraqitën shumë pyetje.
Avdullah Bajra, prodhues i ujit Kika nga Anamorava, tregoi se si Serbia në disa raste i pranon qarkullimin e mallit Kosovë-Serbi por vetëm nëse ky qarkullim paraprakisht regjistrohet nga strukturat paralele të Serbisë në Ranillug apo pjesën veriore të Mitrovicës. Kjo, sipas Bajrës, bëhet për shkak se Serbia nuk është e interesuar që të lejojë malli ti kthehet nga Kosova në Serbi që e dëshmon edhe nivelin e ulët të cilësisë së mallrave nga Serbia që hyjnë në Kosovë.