Prodhimet “Made in Kosova” janë pjesë e tregjeve evropiane e botërore
Kaçanik, 12 korrik - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, sot ka vizituar fabrikën “Kivo” në Kaçanik, një investim ky kosovaro-holandez, me mbi 110 të punësuar.
Presidenti Thaçi ka thënë se kjo fabrikë është dëshmia më e mirë se produktet “Made in Kosova”, çdo ditë e më shumë po eksportohen në tregun evropian.
“Unë kam besim se modeli i tillë, çfarë e kemi këtu në “Kivo”, është modeli më i mirë i mundshëm për biznesin privat, për bashkëpunimet vendore dhe ndërkombëtare, për klimën e mirë të biznesit në Republikën e Kosovës, për fuqinë punëtore, atraktivitetin e të investuarit në Kosovë, por edhe dëshmi se pavarësisht prej vështirësive që i kemi si shtet, prodhimet “Made in Kosova” sot janë kudo, janë në Holandë, janë në Gjermani, janë në Francë, janë në shtetet më të rëndësishme evropiane e më gjerë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka theksuar se kjo mundësi e krijuar nga pronarët e fabrikës “Kivo” është një perspektivë e mirë për Kaçanikun dhe një mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës.
“Me të vërtetë është një perspektivë shumë e mirë edhe për Kaçanikun, për njerëzit e Kaçanikut, për krijimin e vendeve të reja të punës, për punësimin e tyre të mëtutjeshëm, për rritjen e mirëqenies sociale të familjeve të tyre, por edhe mundësi tjetër e një ekspertize për zgjerim edhe në hapësirat e tjera të Republikës së Kosovës”, ka shtuar presidenti Thaçi.
Ndërsa, Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se kjo është një kompani shembull për të tjerët.
“Unë besoj dhe shpresoj se me përvojën dhe ndikimin që kanë pasur pronarët e kësaj kompanie, kanë bërë një diçka jashtëzakonisht të mirë, që në fakt kemi pasur edhe interesime tjera në Komunën e Kaçanikut”, ka thënë kryetari Ilazi.
Pronari i fabrikës “Kivo”, Visar Ramajli, ka thënë se kompania merret me prodhimin e produkteve të ambalazhimit fleksibil.
“Është një bashkëinvestim në mes të investitorëve lokalë dhe atyre holandezë, si dhe ka katër vite që operon dhe suksesshëm eksporton në vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian”, ka thënë Ramajli.
Presidenti Thaçi në fund ka thënë se institucionet e vendit janë përkrahë ndërmarrësve, që për aq sa kanë mundësi, t’ia lehtësojnë angazhimet për hapjen e mundësive të reja për biznes, për vende të punës dhe për mirëqenie më të mirë sociale.