Prodhimet gjermane vazhdojnë të jenë më të kërkuarat
Berlin, 9 shkurt - Me gjithë krizën e huave dhe rritjen ekonomike më të dobët ekonomia gjermane llogarit me atë që eksporti të shënojë rritje edhe në 2012-n.
Kjo del prej anketës aktuale \"Going International\" të Shoqatës së Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK).
Sipas saj, dy të tretat e 3.200 sipërmarrjeve të pyetura duan t\'i zgjerojnë edhe më tej vitet që vijnë veprimtaritë e tyre jashtë vendit. Në 2011-n, 91 për qind e sipërmarrjeve kanë shitur në mbarë botën mallra nga Gjermania.
Sipas sondazhit, gati një e treta e sipërmarrjeve operon jashtë vendit me filiale të vetat dhe me sipërmarrje bija. Kjo përqindje ka mbetur krahasimisht konstante vitet e fundit, thotë Ilja Nothnagel i DIHK-së.
\"Dhe kjo nuk është në disavantazh të Gjermanisë, po sipërmarrjet i zgjerojnë bizneset e tyre edhe në Gjermani dhe marrin më shumë njerëz në punë. Pra, rëndësia nuk është për t\'u nënvlerësuar, kursi i ndërkombëtarizmit vazhdon.\"
Në këtë mes sipërmarrjet gjermane vazhdojnë të kenë në shënjestër rritjen ekonomike të Azisë, para së gjithash atë të Kinës. Ky rajon është tregu i dytë më i rëndësishëm për to.
\"Natyrisht, Evropa si treg vendas është vendi më i rëndësishëm i biznesit, mirëpo rritja ekonomike dhe orientimi i ri drejtohen nga Lindja, nga Azia. Atje, krahas Kinës, ka shumë tregje, që mund të shkëlqejnë me rritje ekonomike solide, me një ambient biznesi të mirë, e atje po vendosen firmat gjermane.\"
Edhe rajoni aziatikojuglindor po bëhet më tërheqës për sipërmarrjet gjermane. Vërtet për 2012 pritet që koniunktura botërore të ngadalësohet, por Indonezia, Malajzia, Filipinet, Tajlanda, Singapori dhe Vietnami do të vazhdojnë të rriten ekonomikisht.
Me prodhimet e tyre \"Made in Germany\" sipërmarrjet gjermane vazhdojnë të jenë të kërkuara atje, thuhet në një anketën e DIHK-së. Eksportet gjermane mund të marrin impulse shtesë edhe nga një sërë marrëveshjesh të tregtisë së lirë, të cilat po negociohen aktualisht me vende të caktuara të këtij rajoni dhe që mund të shpien në ulje të konsiderueshme të tarifave doganore dhe në investime të reja.
\"Pikërisht tregjet me rritje ekonomike në vende në industrializim e sipër investojnë në modernizimin e ekonomisë së tyre dhe për këtë atyre u duhen edhe makineri e pajisje nga Gjermania.\"
\"Prodhimi i automjeteve private është gjithashtu i lidhur me eksportin. Markat gjermane janë të kërkuara në mbarë botën. Me zhvillimet e mira ekonomike në Azi, por edhe në Amerikën Latine, atje ka gjithashtu më shumë njerëz, që janë në gjendje të konsumojnë, dhe që duan të blenë prodhime të cilësisë së lartë. Prej kësaj përfitojnë edhe sipërmarrjet gjermane.\"
Megjithatë, pjesa dërrmuese e sipërmarrjeve gjermane të orientuara nga eksporti e ndiejnë gjendjen e keqe ekonomike në vendet e euros në krizë. Edhe ky fakt rezulton prej anketës së DIHK-së. Në fakt, këto shtete kanë miratuar krahas masave të kursimit edhe një sërë reformash, por aktualisht sipërmarrjet gjermane nuk presin përmirësim të shpejtë të zhvillimit ekonomik, thotë Ilja Nothnagel i DIHK-së.
Perspektivat më të mira të biznesit firmat e pyetura në anketën e DIHK-së ua dëshmojnë shteteve \"BRIC\" (Brazil, Rusi, Indi dhe Kinë). Ato dallojnë shenja përmirësimi edhe për SHBA-në.
Në bazë të përgjigjeve të sipërmarrjeve, DIHK-ja llogarit për 2012-n me një rritje të eksporteve prej gati katër për qind. Kësisoj rritja është pak më e ulët sesa në dhjetë vitet e fundit, gjatë të cilave u shënuan mesatarisht gati gjashtë për qind.