Prezantohen potencialet e investimeve të Kosovës në Kroaci

Zagreb, 6 nëntor - Në kuadër të vizitës të kryeministrit Hashim Thaci në Kroaci, të martën në Zagreb u mbajt Forumi Ekonomik Potencialet e Investimit dhe projektet e planifikuara në Kosovë në vitin 2013.
Zëvendëskryeministrja Kusari Lila në fjalën e saj tha se reciprociteti me Serbinë ka pasur ndikim të theksuar në rritjen e bashkëpunimit tregtar ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë: Tani është koha që bashkëpunimi tregtar të shtrihet edhe në fushën investimeve - theksoi ajo duke shtuar rëndësinë e faktit që Kosova nuk është vetëm një treg në vete por synon rritjen e eksportit drejtë vendeve tjera, posaçërisht në vendet e CEFTA-s, të cilën qasje Kroacia do të humb në momentin e bashkimit në BE.
Më tutje, para dhjetëra bizneseve zëvendëskryeministrja prezantoi reformat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës me theks të veçantë përparimin e Kosovës në raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes.
Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik , Besim beqar, foli për rëndësinë e bashkëpunimit bilateral për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve. Ai prezantoi projektet investive në telekom dhe fushën e minierave dhe energjisë si dhe foli për rëndësinë e orientimit të bizneseve Kroate jo vetëm drejt BE-së por edhe drejt vendeve të rajonit e në veçanti drejt Kosovës.
Në pjesën e dytë të konferencës, kryeshefi i Agjencisë për Promovim të Investimeve Valdrin Lluka foli për ambientin investiv në Kosovë, mundësitë investive dhe veçoritë e ekonomisë Kosovare. Ai prezantoi projektet e përveçme të Agjencisë për Privatizim, në projektet e partneritetit publiko-privat duke përmendur projektin e Brezovicës si një mundësi e mirë investive.
Ky Forum u organizua nga Agjencia për Promovim të Investimeve, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Odën Ekonomike Kroate, Ambasadën e Kosovës në Zagreb dhe Ambasadën Kroate në Prishtinë. Në forum po marrim pjesë rreth 20 biznese kosovare dhe rreth 50 biznese kroate.