Politikat makroekonomike dhe financiare janë në rrugë të duhur
Prishtinë, 29 tetor - Ministri Bedri Hamza së bashku me udhëheqësin e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN-së) për Kosovë, Johannes Wiegand, kanë mbajtur sot konferencë për media me rastin e përfundimit të vizitës së misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, i cili mision ka qëndruar në Kosovë nga 16 tetori i këtij muaji deri më sot.
Në këtë konferencë, Ministri Hamza ka thënë se me përfaqësuesit e Fondit Monetarë Ndërkombëtarë, është diskutuar rreth ekzekutimit të buxhetit të viti 2012-të, buxheti i vitit 2013-të, rregullës fiskale, si dhe për rishikimin e dytë të marrëveshjes Stand By.
Është vlerësuar se politikat makro-ekonomike janë gjerësisht në rrugën e duhur. Ndërsa vlerësimet për rishikimin e dytë të marrëveshjes Stand-by, janë se kriteret kuantitative të performancës janë përmbushur."
"Pritet që të diskutohet edhe në bordin e FMN-së dhe shpresojmë që të aprovohet më në dhjetor të këtij viti, ku presim edhe disbursimin e mjeteve për buxhetin e Kosovës, që do të jenë rreth 41 milion euro., tha ministri i Financave Bedri Hamza.
Ministri Hamza tha se sa i përket rregullës fiskale, e cila është diskutuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, pritet të jetë pjesë nga viti 2013, që ka për objekt adoptimin e politikave fiskale në mënyrë që Qeveria aktuale por edhe të tjerat, të udhëheqin deficite fiskale të qëndrueshme dhe në dobi të vendit .
Ai gjithashtu bëri të ditur se për këtë është biseduar edhe me partitë opozitare, ku ka një disponim pozitiv nga të gjithë dhe pritet që të ketë aprovim të rregullës fiskale në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.
Buxhetit i vitit 2013 është planifikuar të jetë 1.586 miliard euro. Në kuadër të këtij buxhetit, sipas ministrit të Financave, Bedri Hamza, është futur ndërtimi i autostradës Prishtinë - Shkup.
Për të filluar këtë projekt që është i kushtueshëm dhe që është një presion edhe për buxhetin e Kosovës, ne jemi dakorduar që të kemi një nivel të kënaqshëm të bilancit bankar dhe jemi pajtuar që në momentin e fillimit të ndërtimit të këtij projekti, niveli i bilancit bankar të jetë 300 milionë euro, që është i dakorduar edhe me FMN-në, ka shpjeguar Hamza.
Ndërsa, për fillimin e këtij projekti, sipas Hamzës, janë ndarë 30 milionë euro.
Ndërkaq, përfaqësuesi i FMN-së Johannes Wiegand, u shpreh se misioni ka arritur marrëveshje në nivel të stafit me autoritetet, për një pako të politikave që synojnë kompletimin e rishikimit të dytë të Marrëveshjes Stand-By.
"Vlerësimi nga ana e Bordit Ekzekutiv të FMN-së paraprakisht është caktuar të bëhet më 21 dhjetor. Kompletimi i këtij rishikimi do ti mundësojë Kosovës tërheqjen e shumës prej SDR 34.857 milionë (rreth 41 milionë ). Autoritetet Kosovare synojnë ta trajtojnë marrëveshjen si një masë të kujdesit paraprak nga viti 2013.
Politikat makroekonomike dhe financiare janë gjerësisht në rrugë të duhur. Të gjitha kriteret kuantitative të performancës deri në fund të gushtit janë përmbushur, pasi që një mungesë modeste në mbledhjen e të hyrave është kompensuar nga kufizimi i shpenzimeve. Për më tepër, pranimet totale buxhetore (që përbëhen nga të hyrat dhe financimi) i kanë tejkaluar parashikimet."
"Kriteri strukturor i fundit të gushtit për nisjen e ofertës së tenderit për kompaninë e telekomunikacionit PTK është përmbushur gjithashtu, ndonëse me një vonesë të vogël. Duke shikuar përpara, autoritetet dhe misioni janë pajtuar për konturat e buxhetit të vitit 2013, dhe janë pajtuar për parametrat e një kornize fiskale të bazuar në rregulla që do të shërbejë si bazë për politikat fiskale duke filluar nga viti 2014., ka shtuar ai.
Wiegand, gjithashtu ka thënë se ekonomia e Kosovës ka vazhduar të tregojë qëndrueshmëri të konsiderueshme në dritën e turbulencave financiare të jashtme.
Prurjet e fuqishme rrjedhëse dhe të kapitalit, veçmas nga diaspora Kosovare sipas tij kanë vazhduar të mbështesin aktivitetet.
"Stafi i FMN-së projekton që rritja reale do të jetë mbi 3 për qind më 2012 dhe 2013, që është më e lartë se në shumicën e vendeve fqinje. Sistemi bankar ka mbetur i mirë kapitalizuar dhe likuid, përkundër një rritjeje të kohëve të fundit në kreditë jo-performuese. Është arritur progres në forcimin e klimës së biznesit, që përfshin fushat si racionalizimi i regjistrimit të biznesit dhe mbrojtja e investuesve.