Po përmirësohet imazhi për investime
Prishtinë, 25 qershor Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka bërë me dije se ministria që drejton dhe Qeveria në përgjithësi janë duke punuar shumë për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte (IHD).
Ajo në një intervistë për Epokën e re ka thënë se prej fillimit të vitit janë regjistruar rreth 200 kompani të huaja në ARBK.
Bajrami ka shtuar se po angazhohen çdo ditë për përmirësimin e klimës së biznesit në vend dhe në këtë drejtim ka treguar se Qeveria e Kosovës është duke punuar për hartimin e politikave të favorshme fiskale ndaj bizneseve.
Nëse flasim për investimet e huaja gjatë këtij viti dhe nëse i krahasojmë ato me vitin e kaluar, mund të themi se kemi ngritje të tyre, të cilat janë vërtetuar edhe nga publikimi i raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, është shprehur Bajrami.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se për vitin 2015 buxheti i kësaj ministrie për tri kategoritë e para të zonave ekonomike e që janë: zonat e lira ekonomike, parqet industriale si dhe parqet teknologjike është 480 000 euro, ndërsa 150 000 euro janë ndarë për kategorinë e inkubatorëve të biznesit. E pyetur se a është ky buxhet i mjaftueshëm për zonat e lira ekonomike,
Bajrami është përgjigjur se duhet më shumë buxhet për ndërtimin dhe funksionalizimin e këtyre zonave, duke pasur parasysh kostot e larta të ndërtimeve infrastrukturore si ato të: energjisë elektrike, rrjetit të ujësjellësit, ndërtimit të rrugëve, kanalizimeve, parkingjeve, impianteve, objekteve. Kurse sa i përket aspektit fiskal, ajo ka thënë se me pakon e re fiskale e gjithë Kosova është zonë ekonomike.