Përshkallëzohet "lufta tregtare" mes SHBA-së dhe Kinës
Washington, 7 prill - Retorika e “luftës tregtare” mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës u përshkallëzua pasi presidenti Trump kërcënoi me një rritje të tarifave ndaj mallrave kineze me 100 miliardë dollarë të tjera.
Ndërkohë Pekini paralajmëroi se do t’i kundërvihet "me çdo çmim" kësaj politike të Shteteve të Bashkuara.
Zoti Trump tha dje se kishte udhëzuar autoritetet amerikane të tregtisë të merrnin në konsideratë tarifa shtesë, kjo pas publikimit nga Kina të ​një liste mallrash amerikane, ndaj të cilave propozonte rritje tarifash me një vlerë prej 50 miliardë dollarësh. Më parë gjatë kësaj jave Shtetet e Bashkuara patën propozuan tarifa të reja me vlerë prej 50 miliardë dollarësh ndaj mallrave kineze.
Pavarësisht nga kërcënimet e fundit, presidenti ka këmbëngulur se SHBA nuk janë përfshirë në një mosmarrëveshje tregtare me Kinën. Në një postim në twiter ai tha se tarifat e vendosura ndaj importeve të aluminit po i sjellin përfitime ekonomisë amerikane.
Në një deklaratë sot Shtëpia e Bardhë tha se tarifat kundër Kinës u njoftuan sepse Pekini "vazhdon të shtrembërojë tregjet globale dhe të dëmtojë bizneset amerikane e konsumatorët me praktika të padrejta tregtare".
Ministria kineze e Tregtisë tha në deklaratën e saj të premten se nëse Uashingtoni vazhdon me atë që Pekini e quan proteksionizëm, Kina “do të luftojë fort e në mënyrë të vendosur".
Tregjet amerikane të aksioneve pësuan rënie pas udhëzimeve më të fundit tregtare të zotit Trump.
Tregjet financiare janë lëkundur mjaft gjatë ditëve të fundit nga frika e përshkallëzimit të tensioneve tregtare mes Uashingtonit dhe Pekinit.
"Në vend që të korrigjojë sjelljen e saj të keqe, Kina ka zgjedhur të dëmtojë fermerët dhe prodhuesit tanë", tha zoti Trump.