Përmirësimi i raportit tregtar në Kosovë, prioritet i qeverisë
Prishtinë, 18 tetor - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë sot mbajti takimin e Grupit Punues për Politika Tregtare, i cili përbëhet nga përfaqësues të qeverisë, të donatorëve, të komunitetit të biznesit dhe grupeve tjera të interesit.
Qëllimi i takimit ka qenë diskutimi i legjislacionit të politikave tregtare, ku morën pjesë përfaqësues të ndryshëm të institucioneve vendore dhe të organizavate të ndryshme.
Takimi i Grupit Punues për Politika Tregtare është vlerësuar një rast i veçantë për tu informuar nga dora e parë për ndryshimet tejet të rëndësishme në legjislacionin e politikave tregtare.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, në fjalën e saj tha se qëllim dhe synim i MTI-së dhe qeverisë është funksionalizimi dhe përmirësimi i raportit tregtar në Kosovë, përmirësimi i politikave tregtare dhe mbi të gjitha ngritja e dialogut dhe ngritja e debatit me të gjithë ata që janë në vijë të frontit, për të rimarrë të gjitha udhëzimet për përmirësimin e politikave tregtare.
Ashtu siç është bërë publike deri më tani dhe që do të bëhet edhe me tutje, Qeveria e Kosovës në pranverë të këtij viti ka dalë më një plan për zhvillimin ekonomik. Ky plan parasheh një përmirësim të bilancit tregtar, ulje të varfërisë, si dhe ngritje të punësimit.\"
\"Megjithatë në këtë plan shumë gjëra do të varen edhe nga zhvillimet e jashtme, të cilat nuk janë vetëm në Kosovë, por që janë në arenën ndërkombëtare dhe në ekonominë botërore, tha ministrja e MTI-së, Kusari-Lila.
Ministrja Kusari-Lila po ashtu theksoi se sa më shumë që të jemi të përgatitur për zhvillimet që ndodhin jo vetëm në Kosovë dhe rajon, por edhe në Evropë dhe botë, ne duhet të kemi informata të cilat janë të domosdoshme që të dalin nga të bërit biznes në Kosovë.
Të bërit biznes në Kosovë nuk është i lehtë, ne jemi të vetëdijshëm për këtë fakt që ka mangësi edhe në legjislacion. Ky grup punues plotëson legjislacionin dhe plotëson një parakusht jo vetëm për ne, por gjithashtu edhe për politikat për Bashkimin Evropian, e gjithsesi edhe për inicimin e proceduarve të Kosovës për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë, potencoi ministrja Kusari-Lila.
Ajo po ashtu iu referua edhe Raportit të Progresit, i cili sapo është publikuar para tri ditësh dhe i cili ka shënuar një mungesë të lëvizjes pasi që nuk janë bërë hapat e duhur në kuadër të anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Kjo është e vërtetë, por së bashku do të marrim një vendim, i cili ka një peshë politike dhe ky vendim do të thotë se si është forma e aplikimit e Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë, tha ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila para të pranishmëve në këtë takim.
Ndërkaq, Flamur Keqa, drejtor i Departamentit të Tregtisë në MTI, tha se ky është takimi i dytë i grupit punues për politika tregtare dhe se ideja është që të fillohet operacionalizimi dhe funksionalizimi më i madh i grupit punues. Ai po ashtu ka deklaruar se gjatë këtij takimi pritet të krijohen nëngrupet punuese të cilat do të merren me çështje specifike sa i përket ekonomisë dhe tregtisë.
Drejtorit Flamur Keqa, gjithashtu potencoi se në agjendën e këtij takimi janë paraparë dy pika, në pikën e parë është paraparë njoftimi me legjislacionin i cili ka ndryshuar gjatë periudhës së fundit dhe që ka të bëjë me përmirësimin e ambientit të biznesit, ndërsa në pikën e dytë është paraparë tema e cila na preokupon sot, por edhe në perspektivë, e që është themelimi i nëngrupeve dhe përgatitja e një plani dinamik të punës së këtyre nëngrupeve, ka thënë Keqa.
Në fund të takimit, nga përfaqësuesit e Departamentit të Tregtisë, u propozua krijimi i pesë nëngrupeve specifike si pjesë të Grupit Punues të Politikave Tregtare, siç janë: Nëngrupi për Marrëveshje Tregtare, Nëngrupi për Bujqësi, Nëngrupi për Lehtësim të Tregtisë, Nëngrupi për Shërbime dhe Nëngrupi për Industri. Po ashtu u pranua propozimi i Planit Dinamik të Punës, ku secili nëngrup do të takohet një herë në çdo tre muaj.
Kryesimi i këtyre nëngrupeve do të bëhet nga institucionet qeveritare së bashku me shoqatat e biznesit. Po ashtu mbeti që secili institucion qeveritar, shoqatë e biznesit, shoqëri civile dhe grupe tejra të interest brenda jave ti dërgojnë emrat e pikave kontaktuese, si dhe propzimet për anëtarë të nëngrupeve punuese.