Përkrahën dy marrëveshje investimesh ndërmjet Dukatës dhe Kosovës
Prishtinë, 16 shtator - Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim: KSV/018-Mbështetje Institucionale dhe Teknike për sistemin e Furnizimit me Ujë në Rajonin e Mitrovicës, ishte pikë e parë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit.
Për përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje folën kryetari i Komisionit, z. Osmani dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti. Sipas kësaj marrëveshjeje parashihet që Qeveria e Luksemburgut për realizimin e saj të investojë 4,5 milionë euro, ndërsa 1, 6 milion do të investojë Kosova. Komisioni përkrahu këtë marrëveshje dhe të njëjtën e procedoi tutje për shqyrtim në Kuvend.
Në vijim Komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim: KSV/017-Programi për mbështetjen e shëndetësisë në Kosovë (faza II). Për sendërtimin e kësaj marrëveshjeje Luksemburgu do të investojë 6 milionë euro, ndërsa pjesën tjetër të mjeteve do ta sigurojë Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.
Në vazhdim Komisioni shqyrtoi Raportin vjetor financiar të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2014, të cilin para deputetëve e prezantoi kryetari i këtij agjencioni, Ekrem Hoxha.
Hoxha njoftoi të pranishmit se ky Autoritet Rregullativ kishte një buxhet prej 965 mijë euro, të cilin e realizoi në shkallën 82 për qind.
Ai në vijim theksoi se auditori i përgjithshëm as në të katërtin vit të punës së këtij agjencioni nuk kishte ndonjë vërejtje në menaxhim financiar. Gjatë diskutimit, folësit e vlerësuan Raportin të mirë dhe njëkohësisht e proceduan tutje në Kuvend.