Përfundon takimi i CEFTA-s në Bruksel
Prishtinë 8 shtator - Delegacioni nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka marrë pjesë sot në takimin e Komitetit Special të Përbashkët të marrëveshjes për tregti të lirë në Evropën Juglindore (CEFTA) në Bruksel.
Ky takim ishte thirrur nga Republika e Serbisë me 27 Korrik të këtij viti për të diskutuar mbi masat e reciprocitetit te aplikuara nga qeveria e Kosovës ndaj Serbisë, por duke marrë parasysh marrëveshjen e arritur mbi pranimin reciprok të vulave doganore në raundin e gjashtë të bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel me 2 Shtator të këtij viti, pika kryesore në agjendë kishte të bëjë pikërisht me këtë marrëveshje.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga shtatë shtete anëtare të CEFTA-s, me përjashtim të Shqipërisë. Takimi u kryesua nga Kosova.
Ne konkluzionet e mbledhjes së Komitetit Special të Përbashkët u përshëndet marrëveshja e arritur me 2 Qershor në Bruksel ne sesionin e fundit të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE, si dhe u shpreh besimi se palët e përfshira do të angazhohen maksimalisht për implementimin e marrëveshjes ne përputhshmëri të plotë me procedurat e CEFTA-s.
Komisioni po ashtu inkurajoi të gjitha palët që të mundohen ti zgjidhin çështjet e tregtisë nëpërmjet konsultimeve bilaterale dhe në vijë me politikat e CEFTA-s.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila kishte informuar përmes një letre dy ditë më parë Sekretariatin e CEFTA-s mbi marrëveshjen e arritur për pranimin reciprok te vulave doganore si dhe për gatishmërinë e plotë të anës Kosovare të vazhdojë me rrjedhën e rregullt të marrëdhënieve tregtare.
Në letër ishte permendur po ashtu që mbajta e takimit kishte humbur në rëndësi si rrjedhojë e zhvillimeve të reja dhe faktit qe pika e vetme në agjendë merrej me një situatë tashmë te tejkaluar.