Pengesat e tregtisë mes Kosovës e Shqiperisë duhet të eliminohet
Tiranë, 22 qershor - Ministrja për Tregti dhe Industri znj. Kusari Lila sot u takua me Kryeministrin e Republikës së Shqiperisë, Sali Berisha për të biseduar rreth disa çështjeve siç janë: ajo e eliminimit të çmimeve referente të aplikuara nga doganat respektive të cilat po shkaktojnë frustrim tek eksportuesit kosovarë.
Në takim u diskutua edhe ndërtimi i rrugës 34 kilometërshe Fierzë - Koman, bashkëpunimi diplomatic, unifikimi dhe standardizimi i sistemeve të edukimit, kulturës, dhe ekonomisë.
Mnistrja Kusari-Lila parashtroi problemin e çmimeve referente të zbatuara nga Dogana e Republikës së Shqiperisë për prodhimet nga Kosova që eksportohen për në Shqipëri.
Znj. Kusari-Lila përmendi rastin e fundit të qumështit të fresket, për të cilën u përdorën çmimet referente duke dyfishuar taksën dhe në këtë mënyrë duke e berë të pamundur plasimin e qumështit të freskët në tregun e Shqipërisë.
Gjatë verës, Kosova ka mbiprodhim të qumështit të freskët gjersa në Shqipëri, për shkak të turizmit, ka kërkesë më të madhe, gjë që do të rezultonte në një tregti shumë efikase.
Kryeministri i Republikës së Shqiperisë, Sali Berisha, tha se çdo pengesë e tregtisë në mes të Kosovës dhe Shqiperisë duhet të eliminohet dhe garantoi që nga ky takim, më nuk do të aplikohen çmimet referente.
Berisha e përsëriti se çdo produkt që prodhohet në Kosovë dhe që ka origjinë kosovare do të mund të hyjë në Shqipëri pa u përdorur çmimi referent dhe e njëjta do të vlejë për produktet nga Shqipëria të cilat eksportohen në Kosovë.
Këtë vendim Berisha ia komunikoi drejtëpërdrejtë edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave të Shqiperisë, z. Flamur Gjymishka, i cili ishte prezent në takim.
Ministrja Kusari Lila iu falenderua Kryeministrit Berisha në emër të Qeverise së Republikës së Kosovës për dhurimin e objektit për Ambasadën e Kosovës në Shqipëri.
Njëherit, Kryeministri Berisha shprehu gadishmërinë për bashkëpunim diplomatik duke hapur ambasada të përbashkëta në çdo shtet dhe kështu duke ndarë kostot e blerjeve dhe të stafit diplomatik, model ky i përdorur nga shumë shtete të zhvilluara perëndimore siç janë shtetet skandinave apo gjermanofolëse. Një projekt i tillë është mirëpritur nga Zv.Kryeministrja Kusari Lila e cila konfirmoi mbështetjen.
Kusari Lila poashtu e informoi Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë për mbarëvajtjen e dialogut Prishtinë - Beograd duke theksuar interesimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për normalizimin e raporteve tregtare në rajon.
Për sa i përket ndërtimit të rrugës Fierzë - Koman, Zv. Kryeministrja Kusari-Lila ritheksoi rëndësinë e kësaj rruge që ka rol kyç për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Kosovës Perëndimore.
Berisha e rikonfirmoi përkrahjen për këtë projekt dhe tha se, studimi i fizibilitetit tashmë veç ka përfunduar, mirëpo për shkak të buxhetit të limituar, kjo rrugë nuk do të mund të ndërtohet deri në vitin 2013.
Ministrja Kusari Lila është duke qëndruar në Tiranë për një vizitë zyrtare dy ditore, meç rast do të takohet me krerë të lartë të shtetit.