PE, rezolutë për status preferencial të eksporteve kosovare
Prishtinë, 14 tetor - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për medie ka prezantuar zhvillimet më të reja pas publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian dhe votimit në Parlamentin Evropian të rezolutës e cila do të mundësojë zgjatjen e masave preferenciale tregtare për Kosovën.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë informoi se dje në Parlamentin Evropian është aprovuar vazhdimi i masës preferenciale tregtare për Kosovën, me efekt retroaktiv prej janarit të vitit 2011, ashtu siç ka paralajmëruar disa herë deri më tani.
Me këtë hap po i rikthehet e drejta prodhuesit kosovar për të eksportuar në vendet e Bashkimit Evropian pa ngarkesa doganore. Dhe duke marrë parasysh që efekti i kësaj mase është retroaktiv, të gjitha ato kompani të cilat kanë eksportuar në vendet e BE-së në ndërkohë kanë mundësinë që përmes importuesve nga ato vende të bëjnë rimbursimin e fondeve të cilat i kanë paguar për taksën doganore, tha Ministrja Kusari-Lila.
Ministrja Kusari-Lila po ashtu theksoi se brenda disa javëve do të bëhet funksionalizimi i kësaj mase, pasi që vendimi i Parlamentit Evropian, i marrë dje më shumicë votash, do ti kalojë Këshillit të Ministrave, ku do të zyrtarizohet ky vendim me efekt retroaktiv.
Në aspektin e vlerësimit të Raportit të Progresit, Ministrja Kusari-Lila tha se MTI është vlerësuar në gjithsej 10 fusha, ku në tetë prej këtyre fushave është shënuar progres relativisht i mirë, gjegjësisht ku ka vlerësime pozitive, në një fushë ka progres të limituar, ndërsa në një fushë nuk ka pasur ndonjë avancim të dukshëm. Ministrja ka përmendur disa prej fushave në të cilat është vlerësuar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Progres të limituar kemi pasur në fushën e standardizimit, ndërsa në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, në aspektin ligjor nuk është shënuar asnjë pwrparim thekson raporti i progresit të Komisionit Evropian."
"Në tetë fusha tjera duke përfshirë këtu vlerësimin e konformitetit, akreditimin, metrologjinë, mbikëqyrjen e tregut, kornizën legjislative, në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, të drejtën e kompanive, aspektet legjislative të drejtës pronësore, të industrisë dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është shënuar progres. Pastaj legjislacioni i ri në fushat e të drejtës së pronësisë intelektuale ka shënuar një progres të mirë, bëri të ditur ministrja Mimoza Kusari Lila.
Kusari-Lila, ka shtuar se me gjithë progresin, sfidat janë të shumta dhe se MTI-ja është e bindur se do të vazhdojë punën për ti adresuar këto sfida edhe pse në disa prej vlerësimeve të evidentuara se kanë shënuar progres, nuk janë theksuar të gjitha hapat e ndërmarrë në drejtim të këtyre sfidave.
Prandaj ne e kemi një stimulim pozitiv nga vlerësimi i Raportit të Progresit dhe gjithsesi jemi të bindur për sfidat që i kemi para vetës dhe ato të cilat duhet ti adresojmë me një tempo shumë më të shpejtuar duke marrë parasysh edhe faktin që jemi në mesin e zbatimit të strategjisë për zhvillim ekonomik të miratuar nga Qeveria e Kosovës, ka thënë ministrja Kusari-Lila.