Paviçeviq: Jemi marrë vesh, në veri nuk paguhet doganë
Prishtinë, 19 dhjetor - Shefi i ekipit negociator të Serbisë në kuadër të bisedimeve me Kosovën, Dejan Paviçeviq ka deklaruar për mediat serbe se palët janë pajtuar të martën në Bruksel në lidhje me pagesën taksave doganore sipas marrëveshjes për Menaxhim të Integruar të Kufirit.
Sipas tij, zbatimi në praktikë i marrëveshjes për taksa doganë e akcizë - fillon nga 20 dhjetori.
Kjo marrëveshje, ka nënvizuar Paviçeviq, parasheh që mallrat që hyjnë në Kosovë përmes pikave kufitare në veri dhe që janë të destinuara për komunat veriore, nuk doganohen.
\"Automjetet me mall për të cilin nuk paguhet akciza mund të hyjnë pa doganim në veri të Kosovës, ashtu sikur dhe malli i akcizës deri në tre tonë e gjysmë\", ka thënë Paviçeviq, duke prezantuar rezultatet e takimeve të nëngrupeve punuese ndërmjet Prishtinës e Beogradit.
Deri më tani qeveria e Kosovës nuk ka konfirmuar arritjen e kësaj marrëveshjeje në lidhje me taksta doganore.
Ndërkaq zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, edhe pse nuk ka komentuar detajet e marrëveshjes ka thënë se Kosova e ka ligjin e vet që është një zonë doganore dhe kështu do ta ketë edhe në të ardhmen.
Në anën tjetër, Paviçeviq ka thënë po ashtu se malli që importohet nga Serbia do të shënohet për statistika, por ai nuk do të doganohet.
Një marrëveshje e tillë, sipas kryenegociatorit serb është në harmoni me IBM-in, marrëveshje kjo e arritur në kuadër të dialogut teknik Prishtinë Beograd, por e cila filloi së zbatuari pas dakordimit në dialogun e nivelit të kryeministrave të dyja vendeve.
Ndërkaq duke iu referuar deklaratave të serbëve të veriut se Kosova nuk po e zbaton IBM-in duke vendosur taksa doganore për mallrat që hyjnë nëpër pikat doganore në veri, Paviçeviq ka kërcënuar palën kosovare se nëse ndodh ndonjë obstruksion, Serbia është e gatshme të suspendojë marrëveshjen e IBM-së.