Papunësia tek të rinjtë në botë në nivel rekord
Gjenevë, 13 gusht - Të rinjtë dhe ata që sapo hyjnë në jetën profesionale janë grupi më i prekur nga kriza ekonomike globale.
Sipas një studimi të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), papunësia tek të rinjtë nga 15 deri në 24 vjeç këtë vit po arrin nivelin më të lartë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Deri në fund të vitit pritet të jenë 81 milionë të rinj të papunë, ose plot 13% e kësaj grupmoshe.
Ata rrezikojnë të ndihen të padobishëm, gjë që mund të çojë në më shumë kriminalitet, dhunë dhe konflikte të tjera, paralajmëron OKB-ja.
Kjo tendencë do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm megjithë përmirësimin e pritshëm koniunkturor.
Të prekur janë në radhë të parë të rinjtë në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.
Por edhe në SHBA dhe vende si Spanja apo vendet balltike, papunësia tek të rinjtë është rritur dukshëm.