Pajtohen për rritjen e shkëmbimit tregtar mes Kosovës dhe Turqisë
Prishtinë, 26 maj - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti sot në takim ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, e cila shoqërohej nga një delegacion i afaristëve turq, një pjesë e të cilëve kanë investuar në Kosovë në kompani të ndryshme.
Ministrja Bajrami e informoi delegacionin turk rreth reformave që Qeveria e Kosovës po ndërmerr me qëllim të përmirësimit të kushteve të të bërit biznes dhe krijimit të lehtësirave për investime.
Ministrja u zotua se Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë në shërbim të të gjitha bizneseve të interesuara për investime dhe afarizëm në Kosovë.
\"Deri tani janë shënuar rezultate të shumta pozitive në kuadër të reformave që po ndërmarrim dhe puna jonë do të vazhdojë me përkushtim edhe në periudhën vijuese\", tha ministrja Bajrami.
Të dyja palët u pajtuan se do të punojnë së bashku me qëllim rritjen e mëtejme të shkëmbimit tregtar dhe bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Turqisë.