Paditet ministrja Mimoza Kusari-Lila

Prishtinë, 21 mars - Dy laboratorët e akredituar dhe të licencuar për analizat e cilësisë së derivateve të lëngëta të naftës, Sierra-Lab dhe Kosova-Lab, kanë paditur kabinetin e Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë për shkeljet ligjore në procesin e kontrollimit të naftës së importuar, autorizim të jashtëligjshëm të trupave inspektuese, mashtrim ndaj konsumatorëve, shkaktimin e dëmit material si dhe rrezikimin e shëndetit publik në tërë Kosovën.
Nëpërmjet padisë së dorëzuar më datë 19 mars, në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, dy laboratorët e naftës kërkojnë që të shpallen fajtorë Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregti dhe e Industrisë, Bernard Nikaj, shef i kabinetit dhe këshilltar në të njëjtën ministri, Ruzhdi Shehu, kryeinspektor i kontrollimit të tregut në MTI, dhe Ibush Luzha, drejtor i Drejtorisë së Akreditimeve në MTI.
Të shpallet fajtore Mimoza Kusari-Lila..., për shkak të nënshkrimit të akteve nënligjore në kundërshtim me Ligjin në fuqi, dhe dëmtimit të cilësisë së karburanteve të lëngëta të derivateve të naftës, që është në kundërshtim me nenin 5 (të Kodit Penal të Kosovës v.j.), ku ka rrezikuar: sigurinë; mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njerëzve, kafshëve, shpezëve dhe bimëve; rrezikimin e mjedisit dhe natyrës; rrezikimit të konsumatorëve, thuhet në padinë e laboratorëve, dorëzuar institucioneve të drejtësisë.
Siç shkruan sot Koha Ditore, në padi më tej kërkohet që Bernard Nikaj, këshilltar dhe shef i kabinetit të ministres Kusari-Lila, të shpallet fajtor për shkak të ndikimeve në stafin civil të Ministrisë për favorizim të trupave inspektuese me gjithë kompetencat e tyre.
Në lidhje me dy të paditurit e tjerë, Ruzhdi Shehu dhe Ibush Luzha, laboratorët kanë konsideruar se të njëjtët duhet të shpallen fajtorë për shkak të favorizimeve dhe shpërdorimeve të detyrave zyrtare në çështjen e kontrollit të naftës..