Pacolli inkurajon rritjen e eksportit të mallrave kosovare në Maqedoni
Shkup, 25 mars - Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli dhe Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgji Ivanov, morën pjesë sot në Forumin e Biznesit Kosovë-Maqedoni, në të cilin ishin të pranishëm një numër i madh i përfaqësuesve të kompanive të rëndësishme të të dyja vendeve.
Në forum ishin të pranishëm edhe ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Besim Beqaj e Blerand Stavileci.
Duke përshëndetur përfaqësuesit e biznesit të mbledhur në forum, Presidenti Pacolli tha se njerëzit e biznesit krijojnë hapësira veprimi dhe sa më i madh që të jetë tregu, gjasat për rritjen dhe zhvillimin e biznesit janë më të mëdha.
Ai theksoi nevojën që forumet e biznesit të kësaj natyre të zhvillohen sa më shpesh, sepse ato mund të ndihmojnë shumë në intensifikimin e bashkëpunimit.
Më tej ai foli për disbalancimin e qarkullimit të mallrave mes të dy shteteve. Kosova dhe Maqedonia janë partnerë strategjikë, por kanë balanc të çrregulluar mes tyre. Derisa Maqedonia eksporton në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 450 milionë dollarë, Kosova eksporton në Maqedoni mallra me vlerë vetëm prej rreth 24 milionë dollarë. Inkurajoj njerëzit e biznesit që të bashkëpunojnë dhe ta ndryshojnë këtë bilanc, theksoi Presidenti Pacolli.
Duke u angazhuar për rritjen e bashkëpunimit, Presidenti Pacolli u angazhua edhe për eliminimin e barrierave ekzistuese.
Mes Kosovës e Maqedonisë të mos ketë barriera, të mundësohet lëvizja e lirë e njerëzve, ideve e mallrave. Në të ardhmen, gjithashtu, të krijohet mundësia e lëvizjes së qytetarëve nga njëri shtet në tjetrin vetëm me letërnjoftime, tha Presidenti Pacolli.
Nga ana e tij, Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgji Ivanov theksoi se marrëdhëniet e mira mes të dyjave vendeve në të gjitha fushat duhet të intensifikohen edhe më tej.
Kosova është partner strategjik për Republikën e Maqedonisë, theksoi z.Ivanov, duke shtuar se Qeveria e Maqedonisë i kushton kujdes dhe kontribuon shumë në krijimin e klimës së biznesit mes të dy vendeve.