22 Dhjetor 2024

Pacolli i shkruan leter Piter Feith-it, për paratë e privatizmit

Prishtinë, 16 qershor - Kryetari i Aleances Kosova e Re (AKR) Behxhet Pacolli i ka dërguar një letër Përfaqësuesit Civile Ndërkombëtare në Kosovë Piter Feith, me te cilen i ka rekomanduar që tv themelohët një Agjencion i ri për menaxhimin e parave të fondit te Agjencionit Kosovar të Privatizimit.

Pacolli ka kërkuar të krijohet Agjencioni i Gjeneratave të Reja, i drejtuar nga manaxherë profesionistë të kontrolluar nga një bord i përbërë nga përfaqësues të Pranisë Ndërkombëtare (ICO), të shoqërisë civile, të parlamentit dhe të qeverisë. Ky Agjencion do të menaxhojë këto para deri sa të mbërrijmë tek kryerja e të gjithë obligimeve të pranuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës të njohur si Plani Ahtisaari, dhe më vonë, (me paratë e mbetura), të investojë ekskluzivisht, e përsëris ekskluzivisht, për mirëqenien e gjeneratave të reja, në edukimin e tyre, shëndetin e tyre, dhe në punësimin e tyre.



 I nderuar zoti Feith,

Duke ju falënderuar për kontributin tuaj të shquar në drejtim të Pranisë Civile Ndërkombëtare në Kosovë, do të doja t\'ju nënvizoja disa probleme të rëndësishme për ecurinë e shoqërisë dhe politikës në vendin tonë.

Me cilësinë  e kryetarit të Partisë Aleanca Kosova e Re, një parti që ka në themel të vet zhvillimin ekonomik të Kosovës, begatinë e qytetarëve tanë, transparencën dhe llogaridhënien e qeverisjes, do të doja të shprehja vlerësimin tim  për  angazhimin tuaj dhe për instrumentet e tjerë evropianë, si misioni EULEX, në favor të ndërtimit të ngrehinës institucionale të Kosovës, drejtësisë në veçanti, në shërbim të qytetarit të Kosovës.

Ne besojmë  se angazhimi juaj profesional, parimësia, paanshmëria e misionit tuaj është garanci për suksesin e funksionimit të institucioneve sot dhe në të ardhmen në Kosovë. Beteja kundër korrupsionit në këtë fazë të shtetësisë sonë  është jetike për cilësinë e ndërtimit të themeleve të Kosovës së re dhe ajo ka krijuar shpresë tek qytetari ynë. 

Zoti Feith,

Ne kemi ndjekur me interes prononcimet tuaja në kontekste të ndryshme, në  SHBA, në institucione evropiane, në Kosovë në  lidhje me pavarësinë e Kosovës si një punë të  kryer dhe në favor të sovranitetit të Kosovës në gjithë territorin e saj. Në këtë kuadër, pohimi juaj se Kosova nuk mund të ndahet është mjaft  i vlerësueshëm dhe ne shpresojmë shumë se puna juaj në vendosjen e autoritetit të ligjit të Kosovës në gjithë territorin do të vazhdojë edhe më tutje. Për prosperitetin ekonomik të qytetarëve, për autoritetin e shtetit të ri, për konsolidimin e financave publike është jetik mbizotërimi i Kushtetutës së Kosovës, i ligjeve të saj, kontrolli i institucioneve të saj në gjithë territorin, nga Jugu në Veri, nga Perëndimi në Lindje. 

I nderuar zoti Përfaqësues Civil Ndërkombëtar,

Po ashtu kemi ndjekur me vëmendje të madhe dhe debatin tuaj publik me institucionet vendore të Kosovës, në lidhje me paratë e Fondit të Agjencisë Kosovare të Privatizimeve, dikur Fondi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, si dhe për paratë  e Trustit Pensional.

1) Si një  njeri që ka shpenzuar dhjetra vjet në nivele të larta të biznesit ndërkombëtar,

2) që  e njeh mjedisin biznesor këtu;

3) si dhe pas studimit të kuadrit ligjor që rregullon këtë çështje, (Propozimit Gjithëpërfshirës, aneksi 6 dhe 7, dispozitat tranzitore të Kushtetutës së Kosovës, si dhe Ligjin në fuqi për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, neni 19), unë e konsideroj plotësisht të drejtë qëndrimin tuaj refuzues ndaj kërkesave të qeverisë. I njëjti qëndrim imi vlen dhe për paratë e Trustit Pensional të Kosovës.  Këto fonde janë djersa e brezave të shumtë të kosovarëve në vite dhe jo paratë e një qeverie të vetme. Prandaj ato nuk duhet të hyjnë në kasën e qeverive, dhe sidomos të atyre qeverive që deri më tani nuk kanë gjeneruar begati për qytetarin e Kosovës, përkundrazi e kanë varfëruar atë, për shkak të neglizhencës së tyre, mungesës së përgjegjësisë dhe profesionalizmit të tyre në një proces privatizimi tejet të diskutueshëm. Investimi i të ardhurave nga privatizimi apo nga Trusti Pensional në mjete, instrumente sipas rangimit të institucioneve ndërkombëtare të rangimit financiar, është diçka plotësisht e arsyeshme që ju e theksoni me të drejtë. Ne vlerësojmë njëjtë sikur Ju, se destinacioni për të cilën i kërkon kjo qeveri, për nevoja të ngutshme të buxhetit apo për projekte pa fizibilitet të argumentuar, nuk përmbush kushtet e ligjit.

Në përputhje me parashikimet e nenit 19.2 të ligjit për AKM-në, që këto para\"... do të investohen nga Agjencia në llogari, instrumente ose mënyra të tjera të investimit të  cilat janë ranguar për investim nga agjenci ndërkombëtare të rangimit dhe në përputhje me kriteret e arsyeshme dhe të matura të investimit\", në Kosovë ekzistojnë kushtet që këto fonde të prodhojnë fryte të reja zhvillimi, në dobi të vendit, të ekonomisë së tij, të punësimit të gjeneratave të reja.

Unë do t\'ju bëja një propozim në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi:

Të krijohet Agjencioni i Gjeneratave të Reja, i drejtuar nga manaxherë profesionistë të kontrolluar nga një bord i përbërë nga përfaqësues të Pranisë Ndërkombëtare (ICO), të shoqërisë civile, të parlamentit dhe të qeverisë. Ky Agjencion do të menaxhojë këto para deri sa të mbërrijmë tek kryerja e të gjithë obligimeve të pranuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës të njohur si Plani Ahtisaari, dhe më vonë, (me paratë e mbetura), të investojë ekskluzivisht, e përsëris ekskluzivisht, për mirëqenien e gjeneratave të reja, në edukimin e tyre, shëndetin e tyre, dhe në punësimin e tyre.

Kur e them këtë, jam shumë i vetëdijshëm se me privatizimin difektoz të deritanishëm në Kosovë (prej nga ku gjenerohen këto para) dëmi më i madh i është bërë fëmijëve të Kosovës për të cilët nuk ka asnjë garanci jetësore, asnjë mundësi për punësim.

Ne si AKR, në bashkëpunim dhe me ekspertë të shquar kosovarë  dhe ndërkombëtarë i kemi studiuar mundësitë që  ofron ekonomia kosovare dhe garantojmë se ka hapësira investimi në instrumente të frytshme. Më shumë guxim, më shumë ndjenjë ndërrmarrësie, e kombinuar me maturinë, do të bënte që këto para të fjetura, me interesa të ulët, t\'i shërbenin më shumë të ardhmes së Kosovës, ekonomisë së saj, duke u shndërruar në gjenerues zhvillimi, punësimi, gjallërimi të jetës së vendit dhe një perspektive më të mirë për brezat e rinj të Kosovës.

Unë jam i bindur në mirëkuptimin Tuaj, dhe jam i gatshëm që t’jua shpjegoj idetë e mia, bashkë me një grup ekspertësh. Mendoj se Ju do të shquani në propozimin tim një bazë  të shëndetshme bashkëpunimi, që do të hapte një  pistë të re angazhimi për të gjithë: për miqtë  tanë ndërkombëtarë, për ndërmarrësit solidë vendorë  duke krijuar më së fundi një mjedis të shëndetshëm për investime të huaja. Do të keni në këtë  angazhim të ri, jo vetëm mbështetjen tonë të palëkundur, por të gjithë qytetarëve të Kosovës. Këto para nuk duhet të shkojnë e përsëris dhe njëherë, në  arkat e qeverisë.

Thellësisht Juaji,

Behgjet Pacolli
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)