30 Dhjetor 2024

Pacolli dhe Kusari - Lila ftojnë investitorë nga Emiratet Arabe

Abu Dhabi, 31 janar - Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila po qëndrojnë në vizitë pune në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) gjatë të cilës po zhvillojnë një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të Qeverisë së EBA dhe me përfaqësues të sektorit privat.

Ata fillimisht u takuan me Ministren e Tregtisë së Jashtme znj. Lubna Al Qasimi me të cilën kanë diskutuar për mënyrat e ngritjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve.

Pacolli ka potencuar mundësitë investive në Kosovë me fokus të veçantë në sektorët e industrisë dhe bujqësisë.

Ai gjithashtu ka përmendur përparësitë gjeografike, të fuqisë punëtore dhe të resurseve natyrore si përparësi konkurruese të Kosovës karshi vendeve tjera të rajonit.

Ndërsa ministrja Kusari-Lila ka folur për projektet konkrete investive në sektorin e turizmit, me theks të veçantë Projektin e Brezovicës.

Ndërsa znj. Al Qasimi ka ofruar përkrahjen e plotë të Qeverisë së EBA dhe të resorit që ajo drejton për përkrahjen e bashkëpunimit me Kosovën. Ajo, premtoi se përmes dikasterit që drejton, do të ndihmoj në drejtim të promovimit të projekteve konkrete të diskutuara gjatë takimit.

Më tej,Zv. Kryeministrat Pacolli dhe Kusari-Lila janë takuar edhe me Kryetarin e Bordit të Odës Ekonomike të Dubait, Abdulrahman  Saif  Al Ghurair me të cilin janë fokusuar kryesisht në krijimin e kushteve sa më të mira për tërheqjen e bizneseve nga EBA në Kosovë.

Pacolli në veçanti ka diskutuar për mundësinë e hapjes së Zyrës Ekonomike të Kosovës në Dubai,e cila do të shërbente për ngritjen e marrëdhënieve ekonomike me EBA por edhe me pjesën tjetër të botës Arabe.

Nga ana e saj, ministrja Kusari-Lila foli për mundësitë investive si dhe për mundësinë e organizimit të një Forumi Ekonomik me fokus në bizneset e EBA dhe Kosovës.

Kurse, AlGhurarir shprehu vullnetin e mirë të bizneseve të EBA për të bashkëpunuar me bizneset kosovare, por ai theksoi nevojën që Kosova të ngritë vetëdijen ndërkombëtare në raport me ofertën e saj por edhe me kërkesat për viza.

Më tutje, Zv. Kryeministrat janë takuar edhe me Agjencinë për Promovimin e Investimeve (FDI Dubai) si dhe me Korporatën Ndërkombëtare Financiare të Dubait. Qëllimi i këtyre takimeve ishte prezantimi i projekteve investive, posaçërisht projekti i Brezovices.

Vizita në EBA është pjese e agjendës së Qeverisë së Republikës së Kosovës për promovim të investimeve dhe ngritje të bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)