OVLUÇK i bën thirrje Qeverisë të mos lëkundet nga presionet për heqjen e taksës
Prishtinë, 22 nëntor - Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar sot nga Qeveria e Kosovës të mos lëkundet nga presionet e mundshme për heqjen e taksës doganore dhe kërkon që me shtetin e Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës të zgjerohen masat duke aplikuar reciprocitet në të gjitha fushat.
OVLUÇK përmes një reagimi për media thekson se kjo masë është e vonuar dhe Qeveria e Kosovës është dashur shumë më herët të merr masa të tilla, kur dihet se Serbia asnjëherë nuk po i respekton marrëveshjet me Kosovën dhe me politikën e saj agresive është duke e dëmtuar Kosovën edhe në planin ndërkombëtar.
“OVL e UÇK-së, i bën thirrje Qeverisë së Kosovës, që mos të lëkundet nga presionet e mundshme për heqjen e taksës doganore dhe kërkon që me Shtetin e Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës të zgjerohen masat duke aplikuar reciprocitet në të gjitha fushat”, thuhet në reagim.
“Veteranët e Kosovës do të jenë përkrah Qeverisë deri në fund dhe kërkojnë nga i gjithë spektri politik që të mos e ngatërrojnë luftën për pushtet me interesin e përgjithshëm kombëtar, dhe të jenë unik përballë politikës agresive të Serbisë, e cila po rrezikon lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me veprime destruktive dhe politikën e saj agresive”, thuhet në reagim.