OSBE organizon panairin tregtar shumë etnik për gratë pronare të bizneseve
Prishtinë, 1 korrik - Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë organizon panairin e tretë tregtar shumë etnik për gratë pronare të bizneseve.
Panairi i tretë tregtar për gratë ndërmarrëse nga komunitete të ndryshme, që organizohet nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, do të mbahet sot dhe nesër në platonë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Në panair do të marrin pjesë rreth 100 gra afariste nga të gjitha rajonet e Kosovës.
Gratë, të cilat menaxhojnë biznese të vogla në fshatrat dhe qytetet e tyre përkatëse, do të shesin ushqime të bëra në shtëpi dhe punime artizanale si dhe do të kenë mundësi për të rritur bashkëpunimin e dialogun ndëretnik dhe për të zgjeruar rrjetin e tyre.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jan Braathu; Zëvendësministrja e Zhvillimit Rajonal, Magbule Shkodra; deputetja e Kuvendit të Kosovës Mimoza Kusari-Lila dhe kryetarja e Shoqatës së Biznesit "Avenija", Gordana Gjoriç, do të mbajnë fjalimet hyrëse.