OKTA lë Kosovën pa derivate nafte

Shkup, 21 tetor - Doganat e Maqedonisë i kanë hequr licencën për import dhe eksport kompanisë për përpunimin e naftës OKTA në Shkup dhe kjo situatë ka shkaktuar krizë dhe mungesë të derivateve të naftës në Kosovë.
OKTA është një nga eksportueset më të mëdha të naftës në Kosovë dhe se për disa vite ajo ka mbizotëruar tregun në Kosovë.
Drejtoria e Doganave në arsyetimin e vendimit të ndërmarrë ka theksuar se kompania në fjalë në mënyrë serioze ka shkelur rregullat e doganimit dhe rregullativat e tjera për eksport të naftës. Dogana gjithashtu ka ngritur edhe procedurë penale ndaj OKTA për disa shkelje të tjera procedurale.
Ndërkohë ka reaguar edhe OKTA duke i quajtur këto dënime të pabaza dhe të padrejta. Kompania e naftës ka shprehur shqetësime se ky vendim do të ndikojë në furnizimin normal me derivate të naftës të tregut vendor dhe atij në Kosovë, duke shkaktuar probleme në bilancin energjetik të të dyja vendeve. OKTA tha se argumentet e akuzave janë të pabaza dhe se këto do ti dëshmojë në procedurë gjyqësore.
Me gjithë dyshimet e institucioneve të atjeshme, përfaqësuesit e naftëtarëve të Kosovës shprehen të sigurt në procesin e importimit të derivateve nga kjo rafineri. Ata thonë se nafta që ka hyrë në Kosovë u është nënshtruar procedurave të rregullta të kontrollimit dhe se për këtë proces janë lëshuar edhe certifikatat e cilësisë nga vetë OKTA.
Ministri i Financave në Maqedoni, Zoran Stavrevski ka përjashtuar mundësinë e shkaktimit të krizës pas heqjes së licencës të kompanisë OKTA.