OKB kufizon furnizimin me naftë të Koresë së Veriut
New York, 12 shtator - Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë të re për Korenë e Veriut pas provës së gjashtë të bombës me hidrogjen, duke ndaluar eksportin e tekstileve dhe kufizuar importimin e naftës bruto.
Rezoluta e sotme, e treta e kaluar nga Këshilli i Sigurimit brenda pesë javëve, e kufizon me 30 për qind furnizimin me karburant.
Ndërkohë ndalimi i eksporteve të tekstileve do t'i kushtojë Koresë së Veriut 800 milionë dollarë. Rezoluta ndalon gjithashtu dërgimin e remitancave nga jashtë.
Me hyrjen në fuqi të sanksioneve të reja, 90 për qind e eksporteve të Koresë së Veriut janë tani të ndaluara.
Rezoluta e mëparshme ndaloi eksportimin prodhimeve të detit.
Pas rezolutës të së hënës, Ministria e Jashtme e Kinës, deklaroi se vendi e mbështet Këshillin e Sigurimit të OKB-së të marrë masat e nevojshme në lidhje me provat bërthamore të Koresë së Veriut.