OEK prezantohet në panairin Resale në Gjermani
Karlsruhe, 24 prill - Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ishte pjesëmarrëse në panairin e njohur botëror për tregun e maqinave të dorës së dytë, i cili është mbajtur nga data 21 23 Prill në Karlsruhe të Gjermanisë.
Në këtë panair kanë marrë pjesë më shumë se 500 ndërmarrje nga shumë vende të botës, të cilat kanë prezantuar llojet e ndryshme të maqinave dhe të cilat kishin në dispozicion për shitje rreth 160 000 maqina për industrinë e përpunimit të metaleve, drurit, plastikës, maqina për prodhimin e produkteve farmaceutike, maqina për prodhimin e pajisjeve të ndryshme, etj.
Ky është panair i cili ka një traditë shumëvjeçare në fushën e promovimit të segmenteve të ndryshme të industrisë, i cili është vizituar nga më shumë se 10 000 vizitorë nga 113 shtete të botës, dhe gjithashtu është realizuar një qarkullim prej 170 milion euro.
Oda Ekonomike e Kosovës përveç pjesëmarrjes si prezantuese në këtë panair shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të secilit vend, dhe i cili ka një impakt të jashtëzakonshëm në përmirësimin e prodhimtarisë në vend, ka shpalosur të gjitha mundësitë potenciale të bashkëpunimit me vendet e ndryshme të botës, dhe ka përfaqësuar në mënyrë dinjitoze komunitetin e biznesit në Kosovë, duke ju ofruar informata të besueshme të gjitha palëve të interesuar për bashkëpunim me Republikën e Kosovës.
Oda Ekonomike e Kosovës ka qenë e shoqëruar me një delegacion prej 20 biznesesh nga sektorë të ndryshëm të cilët kishin mundësinë të analizojnë aktualitetin i cili është duke ndodhur në tregun e maqinave të dorës së dytë. Përfaqësuesit e bizneseve Kosovare kishin mundësinë të takohen individualisht me prodhuesit e maqinave nga vendet e ndryshme, dhe shoqatat respektive të cilat janë shumë të fuqishme në këtë fushë.
Gjatë këtyre ditëve Oda Ekonomike e Kosovës ka shkëmbyr informata, kontakte me të gjitha palët e interesuara dhe poashtu gjatë prezantimit të bërë nga Safet Gërxhaliu kryetar i OEK-ut, të gjitha kompanitë dhe vizitorët e panairit kishin mundësinë të dëgjojnë rreth situatës ekonomike aktuale në Kosovë, kërkesës në tregun e maqinave të dorës së dytë, shërbimet të cilat i ofron Oda Ekonomike e Kosovës në kuptimin e promovimit të investimeve në vend, organizimit të aktiviteteve të ndryshme të cilat kanë për qëllim orientimin nga aktivitetet tregtare në ato prodhuese, përmirësimin e imazhit të Kosovës, mundësitë e bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm, etj.
Oda Ekonomike e Kosovës kishte takime edhe me Germany Trade & Invest, përfaqësuesin e Odën Ekonomike të Karlsruhe-s me të cilin ka diskutuar rreth mundësive të bashkëpunimit në mes të dy odave në fushën e ekonomisë, organizimit të aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen të cilat kanë një rëndësi të veçantë për dy vendet.
Përfaqësimi i Odës Ekonomike të Kosovës në këtë ngjarje shumë të rëndësishme ekonomike në Gjermani është bërë i mundshëm përmes përkrahjes profesionale dhe teknike nga GTZ gjermane e cila është partner strategjik për Odën Ekonomike të Kosovës dhe Kosovën në përgjithësi.