OEK mban konferencë "Zhvillimi i NVM-ve në Ballkanin Perëndimor"
Prishtinë, 14 maj - Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me organizatën SPARK do të organizoj konferencën me temën Zhvillimi i NVM-ve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila do të organizohet si aktivitet i veçantë në kuadër të Javës Evropiane të NVM-ve në Kosovë për vitin 2010.
Në këtë konferencë përveç pjesëmarrjes së përfaqësuesve institucional dhe atyre nga sfera e biznesit Kosovar, pjesëmarrës do të jenë edhe përfaqësuesit nga Odat Ekonomike Rajonale dhe përfaqësues të bizneseve nga këto vende, të cilët do të prezantojnë eksperiencen e tyre në zhvillimin e NVM-ve në rajonin e Ballkanit dhe më gjërë.
Organizimi i kësaj konference ka për qëllim që tu mundësoj NVM-ve në Kosovë të mësojnë dhe të informohen nga vendet tjera të rajonit për zhvillimin e NVM-ve, dhe gjithashtu do të jetë një mundësi e mirë për të krijuar kontakte në mes të ndërmarrësve ekzistues dhe atyre potencial, si dhe të zhvillohen ide të reja për ti ndihmuar ndërmarrësit që të zhvillojnë aktivitetin e tyre në nivelin rajonal.
Gjatë pjesës së parë të kësaj konference do të diskutohet rreth mundësive të rritjes së NVM-ve në kontekstin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, ndërsa gjatë pjesës së dytë do të diskutohet rreth marrëdhënieve tregtare me BE-në, ku do të debatohet rreth avantazheve dhe disavantazheve të hyrjes në raportet tregtare me shtetet anëtare të BE-së.
Gjithashtu, është planifikuar që gjatë këtij aktiviteti të organizohen edhe takime bilaterale në mes të ndërmarrjeve vendore dhe atyre ndërkombëtare, ku ato do të kenë mundësinë e takimit dhe të diskutimit me përfaqësues të bizneseve nga vendet e ndryshme të rajonit, të cilëve do tju jepet mundësia që përmes kontaktit të drejtpërdrejtë të gjejnë mënyrën e tyre të bashkëpunimit në të ardhmen.