25 Dhjetor 2024

OEAK kërkon te punohet më shumë që të rriten përfitimet e Kosovës nga CEFTA

Prishtinë, 13 shkurt - Përkundër të mirave që Marrëveshja për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) i ka sjellë Kosovës në aspekt të integrimit në tregun rajonal, përfitimet në aspektin ekonomik nga kjo marrëveshje kanë qenë të vogla, marrë parasysh sfidave të shumta me të cilat janë ballafaquar prodhuesit vendor gjatë viteve.

Ky ishte konkluzioni kryesor i tryezës së sotme të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me titull “CEFTA: Tregti e lirë, por sa e drejtë?”

Visar Hapçiu, Menaxher i Politikave në Odën Amerikane, theksoi se në kohën kur Kosova është bërë anëtare e kësaj marrëveshjeje, vendi është përfaqësuar përmes Misionit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara, gjë që i ka pamundësuar vendosjen e masave për mbrojtjen e prodhimtarisë vendore, ngjashëm si vendet e tjera anëtare të marrëveshjes.

Kur kësaj i shtohen edhe politikat jo shumë të favroshme fiskale që kanë qenë në fuqi për prodhues, kjo ka rezultuar që përfitimet nga CEFTA për shtetin e Kosovës të mos jenë shumë të mëdha.

Sytrime Dervisholli, Drejtoreshë e Departamentit të Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, vuri theksin në një numër të barrierave që shtetet e tjera anëtare të marrëveshjes kanë aplikuar për produktet e Kosovës përgjatë viteve sa kjo marrëveshje është në fuqi.

Ajo sqaroi se Ministria në vazhdimësi ka adresuar këto sfida në sekretariat të CEFTA, por reagimi nga palët homologe nuk ka qenë gjithmonë ai i duhuri. Dervisholli poashtu vuri theksin edhe mbi legjislacionin ekzistues për masat mbrojtëse në importe, duke sqaruar se Ministria ka ndërtuar kapacitetet që të zbatojë këto ligje.

Valdet Gjinovci, Kryeshef i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, tha se është për keqardhje që prodhuesit kosovarë janë ballafaquar me barrierat të shumta jotarifore në eksportet e tyre në vende anëtare të CEFTA.

AI sqaroi se institucioni që ai udhëheq trajton të gjitha kërkesat e prodhuesve vendor me prioritet në mënyrë që t’u lehtësohet veprimtaria e tyre si dhe procedurat e eksportit në vende tjera. Për më shumë, Gjinovci sqaroi se së fundi janë ndërmarrë hapa të theksuar për të ofruar shërbime elektronike në kuadër të këtij institucioni.

Hakif Gashi, përfaqësues i kompanisë Meridian Corporation dhe njëherit Zëvendës President i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, tha se CEFTA në mesin e komunitetit të biznesit më shumë është vlerësuar për nga pesha politike, se sa ekonomike.

Ai theksoi se institucionet e vendit duhet të punojnë me sektorin privat në përgjithësi dhe sektorin e prodhimit në veçanti që të identifikohen dhe promovohen sektorë të veçantë ku Kosova mund të ketë përparësi konkurruese në raport me vendet e tjera, e që kanë potencial për eksport gjatë viteve të ardhshme.

Kujtim Gjevori, përfaqësues i ndërmarrjes prodhuese Scampa, theksoi se deri tani CEFTA nuk ka qenë favorizuese për Kosovën, kjo edhe falë politikave jo të favorshme fiskale që kanë qenë në fuqi për prodhuesit gjatë këtyre viteve.

Marrë parasysh masat e fundit fiskale të ndërmarra nga qeveria e që kanë ndihmuar në barazimin e pozitës konkurruese të ndërmarrjeve prodhuese në Kosovë me ato të rajonit, Gjevori shtoi se tani është koha të shikohen mundësi tjera se si mund të ndihmohet sektori i prodhimit në vend, veçanërisht në aspekt të rritjes së eksporteve.

Në vazhdim, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë mbi sfidat dhe barrierat me të cilat janë ballafaquar në kuadër të CEFTA, si dhe hapat e ardhshëm që institucionet duhet të ndërmarrin për të rritur përfitimet nga kjo marrëveshje.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)