OEAK dhe USAID, arbitrazh për të përmirësuar investimet e huaja
Prishtinë, 14 korrik - Në përpjekje për të përmirësuar mjedisin afarist për më shumë investime të huaja, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (AmCham) dhe programi i USAID-it Sistemi për përmbarimin e marrëveshjeve dhe vendimeve (SEAD), sot kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për krijimin e tribunalit të arbitrazhit në AmCham për zgjidhjen e kontesteve komerciale.
Drejtoresha e misionit të USAID-it Patricia Rader ka qenë dëshmitare e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit dhe në fjalimin e saj përgëzoi punën e AmCham-it. Pa mekanizma efektiv për arbitrazh në Kosovë, tërhoqi vëmendjen znj. Rader, investitorët e huaj do të kërkojnë shtetet tjera ku ekziston një sistem më efikas për zgjidhjen e kontesteve komerciale.
Ceremonia e nënshkrimit të memorandumit nga ana e Drejtorit ekzekutiv të AmCham-it, Lekë Musa dhe Drejtorit të programit SEAD, David Greer, u organizua në Universitetin Amerikan të Kosovës ku mori pjesë Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përfaqësues nga Ministria e Tregëtisë dhe Industrisë, dhe anëtarët e komunitetit ndërkombëtar afarist.
Ceremonia e nënshkrimit zyrtarisht nisi bashkëpunimin në mes të AmCham-it dhe SEAD-it për të themeluar tribunalin për arbitrazh në AmCham dhe përcaktoi fushat e përkrahjes së tribunalit, duke përfshirë: hartimin e rregullores së punës në pajtim me standardet ndërkombëtare, hartimin e kodit të mirësjelljes profesionale për arbitrat, trajnimin e arbitrave dhe ndërtimin e kapacitetit të AmCham-it për të administruar rastet.
Partneriteti gjithashtu do të përqendrohet në ngritjen e vetëdijes dhe ngritjen e kërkesës për zgjidhje alternative të kontesteve (ZAK) në mesin e bizneseve, në veçanti të bizneseve me partnerë afarist të huaj.
Njëkohësisht SEAD-i do të kryej aktivitete plotësuese për të arsimuar gjykatësit, avokatët dhe studentët e juridikut në lidhje me ZAK-un si pjesë e përpjekjeve të përgjithshme për të ndërtuar një kulturë të kontratave në Kosovë.
Duke theksuar rëndësinë e arbitrazhit komercial në tregtinë ndërkombëtare, znj. Rader tha se Ligji i Kosovës për Arbitrazhin është i bazuar në modelin e ligjit për arbitrazh ndërkombëtar komercial të nxjerrë nga Misioni i Kombeve të Bashkuara për Tregti Ndërkombëtare, një instrument që është i njohur për komunitetin ndërkombëtar afarist dhe shpjegoi se përpjekjet e AmCham-it për të zbatuar Ligjin e Kosovës do tu ofrojnë bizneseve një alternativë më efikase dhe efektive sesa procedurat gjyqësore.
Rezultat i kësaj, shpjegoi znj. Rader, është shkarkimi i shumë i nevojshëm i vëllimit të punës të sistemit gjyqësor pasi që bizneset do të zgjedhin zgjidhjen alternative të kontesteve në vend të procedurës gjyqësore.
Para ceremonisë së nënshkrimit, Programi SEAD shpalosi vlerësimin e detajuar: Zhvillimi dhe zbatimi i sistemit përkatës dhe efektiv për zgjidhjen alternative të kontesteve në Kosovë. Vlerësimi përfshinte rekomandimet praktike për kornizën legjislative dhe ndërtimin e kapacitetit të institucioneve të Kosovës, përfshirë AmCham-in, për të ofruar zgjidhjen alternative të kontesteve.