23 Dhjetor 2024

Oda Tregtare Kosovaro Turke mblodhi anëtarët në një darkë iftari

Prishtinë, 22 maj - Oda Tregtare Kosovaro Turke (OTKT) mblodhi anëtarët e saj në një darkë iftari, e cila tashmë është kthyer në traditë.

Në kuadër të këtij organizimi të iftarit u fol rreth marrëdhënieve miqësore mes Kosovës dhe Turqisë, përfitimeve nga marrëveshja së tregtisë së lirë, rreth përpjekjeve në drejtim të zhvillimit të bashkëpunimit ekonomik me Turqinë, bashkëpunimit me DEIK-un si dhe  lidhur me  aktivizimin e Komisioneve të Përbashkëta Ekonomike.

"Vlerat e Përbashkëta  të Kulturave Tona"

Kryetari i Odës Tregtare Kosovaro Turke (OTKT) Abdurrahman Balkiz, tha se “këto organizime të iftareve tregojnë vlerat e përbashkëta të kulturave tona” , duke vënë në dukje lidhjet e miqësisë mes dy vendeve.

Balkiz, po ashtu theksoi se këto lidhje të forta mundësojnë edhe tregti intensive dhe investime të shumta ndërmjet Kosovës dhe Turqisë duke bërë të ditur se Oda Tregtare Kosovaro Turke është themeluar në një pikë të takimit të kësaj miqësie.

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Prishtinë Çağrı Sakar vuri në dukje rëndësinë e ndarjes së ushqimit me miqtë dhe falënderoi anëtarët e OTKT-së për ndihmën e dhënë personave me nevojë gjatë këtij muaji të madhërishëm.

Pritje pozitive për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë

Kryetari i OTKT Abdurrahman Balkiz theksoi rëndësinë e miratimit  të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë edhe nga pala kosovare. 

Ai bëri të ditur se Marrëveshja e Tregtisë së Lirë është një marrëveshje asimetrike dhe kujtoi se sipas kësaj marrëveshjeje sektorët konkurrues në Kosovë do të mbrohen për 10 vite. 

Balkiz po ashtu tha se Marrëveshja e Tregtisë së Lirë përveç që do ta rriste vëllimin e tregtisë ndërmjet dy vendeve, nënshkrimi i saj do të mundësonte edhe tërheqjen e investimeve në Kosovë.

Ndërsa Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, bëri të ditur se para 5 viteve, në kohën kur ishte pjesë e stafit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ishte edhe pjesë e grupit punues të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë-Turqi.

Ai thekoi se Turqia ka qenë mjaft e hapur si dhe tolerante ndaj kërkesave të Kosovës për mbrojtën e produkteve vendore.

Ministri Lluka  shprehu kënaqësi të madhe për faktin se teksti i nënshkruar ofroi një lloj mundësi preferenciale tregtare në favor të Kosovës. Ministri Lluka, po

ashtu tha se është një tifoz i tregut të lirë që gjithmonë sjell prosperitet për qytetarët, dhe vuri në dukje dëshirën e tij që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi sa më shpejt që është  e mundur.

Në anën tjetër, Ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar tha se “ Kjo Marrëveshje aq sa ka rënësi për Turqinë, ka rendësi për Kosovën si dhe  botën e biznesit kosovar”  duke bërë të ditur se nënshkrimi i kësaj Marrëveshje do ti sillte përfitime të dyja palëve.

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Prishtinë  Çagri Sakar tha se në kuadër të takimeve me liderët kosovarë, çdo herë ka theksuar rëndësinë e nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje dhe shprehu besimin e tij se me aprovimin e saj,  marrëdhëniet tregtare ndërmjet këtyre dy vendeve do të zhvillohen edhe më tutje.

Sakar theksoi se është optimist në këtë drejtim duke deklaruar në kuadër të aktiviteteve të 23 prillit, Zëvendës Ministrit  të jashtëm turk Faruk Kaymakci i cili ka vizituar Kosovën, nga miqtë kosovarë   iu është thënë nga se shumë shpejt do të merrni lajme të mira në lidhje me miratimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë.

Turqia partner i rëndësishëm i Kosovës

Në anën tjetër Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, tha se Turqia luan një rol mjaft të rëndësishëm për Kosovën dhe se është një ndër partnerët kryesor të Kosovës.

Lluka theksoi se për nga Investimet e Huaja Direkte, Turqia është një ndër tri vendet e para në Kosovë, por nëse shikohet në kuadër të punësimeve që ka siguruar si dhe sektorëve ku ajo shërben, ajo zë vendin e parë.

Ndërsa Ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar tha marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy vendeve  do të forcoheshin më tej vetëm përmes unitetit dhe solidaritetit. 

“Edhe ne si politikanë mund të përmirësojmë marrëdhëniet mes Kosovës dhe  Turqisë” theksoi Yagcilar i cili tha se të dyja vendet do të jenë në gjendje të arrijnë më lehtë objektivat e synuara falë marrëdhënieve të mira politike, ekonomike, tregtare dhe miqësore.

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Prishtinë Çağrı Sakar, shprehu kënaqësi ndaj bashkëpunimeve të  Odës Tregtare Kosovaro Turke me institucionet kosovare, dhe institucioneve turke duke marrë shembull bashkëpunimin e Odës me  Bordin e Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë (DEIK). Sakar, po ashtu bëri të ditur se Turqia do të vazhdoj luftën ndaj organizatës terroriste FETO dhe falënderoi institucionet Kosovare për mbështetjen e tyre në këtë drejtim.

Zëvendës Kryeministrja e Punëve të Jashtme Rejhan Vuniqi  tha se Kosova dhe Turqia kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe theksoi  këto marrëdhënie kanë një bazë historike. Vuniqi falënderoi Turqinë për mbështetjen e dhënë para dhe pas luftës si dhe mbështetjen e cila edhe sot ende po vazhdon. 

"Turqia është një mik i shtetit të Kosovës dhe popullit të saj, dhe do të vazhdojë të jetë " tha ajo duke shprehur besimin e saj se marrëdhëniet dypalëshe, përveç në fushën e ekonomisë  do të zhvillohen edhe në fusha të tjera. Vuniqi iu uroj suksese  të gjitha kompanive turke që veprojnë në Kosovë dhe premtoi mbështetjen e institucioneve të Kosovës ndaj tyre.

Edhe kryetari i OTKT-së Abdurrahman Balkız, vuri në pah rolin e Odës në marrëdhëniet ekonomike në mes Kosovës dhe Turqisë dhe bëri të ditur se Turqia përmes investimeve të huaja direkte ka siguruar rreth 10 mijë vende të reja pune, ndërsa së bashku me anëtarët e Odës Tregtare Kosovaro Turke, ky numër është rritur në 20 mijë.

Do të realizohet një program pune në Turqi

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka tha gjatë një konsultimi me Kryetarin Abdurrahman Balkız kanë vlerësuar si të dobishme  realizimin e një Programi Pune në Turqi. Lluka tha se ky realizim i programit do të ketë për qëllim promovimin e mundësisë së investımeve në sektorin e energjisë, minierave  dhe teknologjinë e informacionit.

Ndërsa Ambasadori i Republikës së Turqisë Çagri Sakar, përmendi aktivizimin e mekanizmave të Komisionit të Përbashkët Ekonomik midis dy vendeve dhe bëri të ditur se kryetare e këtij komisioni të Përbashkët nga ana turke do të jetë Ministrja e Punës dhe Shërbimeve Sociale, zonja Zehra Zumrut Selçuk dhe se janë në pritje që edhe pala kosovare të përcaktojë kryetarin e këtij komisioni.

Në këtë iftari të organizuar dje (e martë 21 maj 2019) në hotelin Emerald  morën pjesë, Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, Ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Rejhan Vuniqi, kryetari i OTKT-së Abdurrahman Balkiz, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Prishtinë, njëkohësisht Kryetar Nderi në OTKT Çagri Sakar, Koordinatori i TIKA në Kosovë Hasan Burak Ceran, Drejtori i Institucionit Yunus Emre në Kosovë, Mehmet Ulker, Këshilltari i Tregtisë Onur Tekyildiz si dhe Sekretari i tretë në Ambasadën Turke Onur Tanay.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)